A po “rilind” skema e TEC-it helmues turko-serbo-bullgar në Korçë, bllokuar 1 vit më parë nga BE?/ Askush nuk jep informacion sa është vlerësuar 1 m2/truall; dhe as me çfarë standardi ekonomiko-financiar (Ligj-VKM) është vlerësuar kostoja e këtij TEC-i; tashmë i shitur me vlerë sa vila e ministres Anila Denaj në Dhërmi, ose 180 milionë lekë më lirë se saraji i Bablokut në Surrel.
Më 10 maj 2021, Ministria e Ekonomi-Financave, ka njoftuar se ka “hequr qafe” edhe një pasuri tjetër publike në Korçë, duke e shitur me ankand, nëpërmjet kompanisë likujduese “Petrol Alba Sh.A” në vartësi të saj.
Blerës është firma “B.A.D shpk”, me ortakë Bajram Hoxhallari e Adriatik Xurre; por referuar të dhënave, rezulton se në pjesë janë dhe Luan Kapri i firmës “Reji shpk” e greku Dimitros Thomogliu i firmës së miellit “Atlas shpk”.
Këta, kanë bërë sikur kanë shitur aksionet 50% në firmën “B.A.D”, por më parë janë përzier e vazhdojnë së bashku, si ortakë ilegalë në një koncesion “HEC-i Denas” në Moglicë, dhënë më 3 prill 2013 nga ish ministri Edmond Haxhinasto.
Nuk themi, që ish-qendrat industriale të lihen gërmadha e të mos riaktivizohen me shitje, ose dhënie me koncesion, nga biznese të interesuara për të fituar e punësuar banorë të zonave. Por në rastin konkret, blerësi zyrtar dhe ata të fshehur pas tij, të njohur për lidhje familjare e interesash me kupolën politike; ka bërë që çmimi i shitjes së këtij TEC-i gjigand, të jetë vetëm 31.8 milionë lekë të reja, sikur gjoja “nuk e blinte askush”.
Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomi-Financave që merren me administrimin e pronës publike të dalë në ankand, thonë se këtij TEC-i, vetëm trualli i kushton 6 herë më shtrenjtë se vlera me të cilën e kanë shitur.
Ndërsa vetëm TEC-i, si objekt (strukturë), nëse do të shitej për skrap në tregun e lirë pa ankand, aktualisht kushton mbi 800 mijë Euro.
Çudi është fakti, se shefat e Ministrisë së Financa-Ekonomisë që e shitën, po mbajnë sekret plan-biznesin e firmës blerëse për zhvillim me drejtim tjetër ekonomik apo rinovimin e këtij TEC.
Një pyetje është kjo: Mos vallë, në vend të asaj “gërmadhe”, do ndërtohet TEC-i i ri helmues i Korçës; skenar i Bablokut me mafien turke-serbo-bullgare, të cilin BE e bllokoi 1 vit më parë?











