Ingrid Mustafa, bashkëshortja e Endri Mustafës, i cili u gjet I vrarë me armë zjarri një ditë më parë në zonën e Livadheve në Shkodër është shprehur se ka marrë telefonatë edhe nga fisi Bajri.
Pasi sqaroi se Ibrahim Lici, i cili është shpallur në kërkim për vrasjen, nuk ka lidhje me ekzekutimin e të shoqit, Ingrid Mustafa tha se edhe pjesëtarët e fisit Bajri që e kanë telefonuar, janë distancuar nga ekzekutimi i të riut, duke i bërë të qartë se nuk kanë asnjë lidhje me këtë krim.
E reja e mbetur e ve tashmë shtoi se nuk e di se kush ia ka vrarë të shoqin, por di që dijeni për ekzekutorin mund të ketë vetëm 15-vjeçari që e nxorri në pritë.
“Deshta me ju thënë se….janë duke na ardh lajme, jua ka bërë njëri fis e fisi tjetër. Na kanë marrë fisi i Bajrajve dhe na kanë thënë se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Domethënë, të jeni të sigurt që ata nuk e kanë bërë këtë punë. Mediat janë duke na hapur fjalë shumë. Ne nuk e dimë kush e ka bërë. E thashë edhe në deklaratë më përpara. Të vetmen gjë që dimë është se djali që ndodhet pas shtëpisë sonë, që rri në shtëpinë e vet, vetëm ai e di kush e ka bërë. Ai ka dalë vetëm me të. Policia nëse do ta zgjidhë, e zgjidh vetëm me atë djalë, jo me fiset, se ne nuk kemi pasur punë me asnjë fis. Kështu që për punë fisesh, se burri im është vrarë për njërin fis apo për tjetrin, kjo nuk është e vërtetë. Janë duke na hapur fjalë, dhe kjo nuk është e drejtë. I bëj thirrje kryeprokurorit Olsian Çela të kapë personin që e ka liruar se vetëm ai e di se kush e ka bërë. Burri im nuk ka pasur lidhje me asnjë prej fiseve. Falimners,”- tha Ingrid Mustafa.











