Nga Ardita Sinani ( Kryetare e Komunës Preshevë):
Diskriminimi i shqiptarëve dhe roli i APN-së në këtë padrejtësi ndaj fermerëve të Luginës
Është e pafalshme që APN-ja, përmes një shkrese dërguar Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve, ka kontribuar drejtpërdrejt në përpjekjet për të penguar subvencionimin e bujqësisë për fermerët shqiptarë nga Fondi i Republikës së Kosovës.
Ky veprim jo vetëm që dëmton interesat e popullatës sonë, por edhe mbështet politikat diskriminuese të qeverisë së Serbisë, e cila në mënyrë të vazhdueshme synon të pengojë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ndihma për fermerët tanë nuk është vetëm një e drejtë legjitime, por edhe një nevojë urgjente për të garantuar një të ardhme më të mirë për popullatën tonë. Përpjekjet për ta penguar këtë ndihmë janë pjesë e një politike më të gjerë të diskriminimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve në këtë rajon.
Si Kryetare e Komunës së Preshevës, dënoj fuqishëm këtë veprim diskriminues dhe shpreh mbështetjen time të plotë për KKSH-në dhe të gjitha institucionet shqiptare që punojnë për të mbrojtur interesat e popullatës sonë.
Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për të adresuar këtë padrejtësi dhe për të garantuar që të drejtat tona të respektohen.
Ftoj qytetarët që të dënojnë këtë sjellje dhe të qëndrojnë të bashkuar kundër politikave të tilla diskriminuese dhe veprimeve që cenojnë të drejtat tona!