Ekzekutimi i 35-vjeçarit pas mesnatës në Vlorë, autorët e ndoqën nëpër shkallët e pallatit, mbi të u zbraz i gjithë kallashnikovi; viktima vëllai i Ardi Velajt.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në Vlorë, ku është ekzekutuar para derës së shtëpisë Shkëlzen Velaj, 35 vjeç.
Bëhet me dije se 35-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesë në orët e vona të natës, kur pikasi një makinë të dyshimtë që e ndiqte.
Kur ka vënë re mjetin që e ndiqte ai ka lënë makinën e tij ndezur dhe me vrap ka nxituar për t’u futur në banesë, por në momentin që po priste të hapej dera e ashensorit, autori ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt tij.
Ka qenë familja ajo që ka gjetur Velajn, dhe e kanë nisur për në spital, ku edhe ndërroi jetë. Sipas të dhënave paraprake, gati i gjithë karikatori i armës është zbrazur mbi 35-vjeçarin.
Mësohet se pranë fshatit Risili është gjetur një makinë e diegur tip “BMW”, që dyshohet se është e autorëve që kanë kryer vrasjen, të cilët më pas i kanë vënë zjarrin për të zhdukur gjurmët.
Dyshohet se ekzekutimi është bërë nga më shumë se dy persona.
Viktima e atentatit të sotëm në Vlorë, Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velaj, i vrarë në masakrën e Çoles në 7 prill të 2015-ës.
Ngjarja e ndodhur në 2015:
Më 7 prill të 2015-ës, në lagjen “Çole” të qytetit të Vlorës mbetën të vrarë pas një përplasje me armë shtetasit Hasan Rakipi, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.
Autorët e maskrës ishin Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.
Përplasja mes dy grupeve ndodhi për shkak të një konflikti banal në një prej kazinove të qytetit, për të përfunduar me tre të vdekur, një të plagosur dhe tre të tjerë pas hekurave.
Aleksandër Llanaj ndodhet pas hekurave bashkë me dy të tjerët. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Aliaj dhe Begaj kanë marrë nga 35 vite burg secili. Të jetë vrasja e Shkëlzen Velajt, pjesë e këtij zinxhiri?
Kjo është pista krysore që grupi hetimor po heton, që mund të shënojë dhe rikthimin e “bandës së Llanajve”.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 23:55, në lagjen “24 Maji”, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur , i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.
Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.










