Më 29 maj të atij viti, Fierin dhe gjithë vendin e tronditi një ngjarje kriminale e përmasave të pazakonta. Një familje e tërë në fshatin Libofshë, të pesë anëtarët e saj, përfshirë një foshnjë disamuajsh, u gjetën të masakruar me sende të forta. Lajmi i transmetuar nga mediat drithëroi gjithë opinionin, duke injektuar pasiguri për jetën apo mosbesim në strukturat e shtetit, që paguheshin e përgjigjeshin për sigurinë.
Impakti duket qe i së njëjtës peshë edhe për krerët e shtetit, që vinte i sapokonfiguruar pas fitores së zgjedhjeve nga Partia Demokratike më 22 mars 1992. Gjatë ditëve në vazhdim, opinioni nuk mësoi pothuaj asgjë për vijimin e kësaj ngjarjeje, pasi në ato kohëra, në vazhdën e eksperiencës së komunizmit, hetimi për ngjarjet kriminale mbahej larg mediave.
Kështu që lajmi i dytë i madh, që drithëroi sërish opinionin, por që edhe që i shkoi për shtat shumëkujt, ishte varja e dy autorëve të masakrës në sheshin para turizmit, në qendër të Fierit, më 25 qershor 1992, më pak se një muaj pas masakrës. Një veprim ndëshkues, që do të statistikohej i fundit në historinë moderne të Shqipërisë.
Ndërsa ajo që mbeti pa u thënë, që mbeti e tillë për 18 vjet me radhë, ishte mënyra se si u zbuluan autorët e masakrës, provat që u grumbulluan kundër tyre dhe fakti nëse ata e pranuan apo jo krimin me gojën e tyre. Të gjitha këto, për herë të parë, i zbulon një dokument “sekret” i asaj kohe, që në fakt është një “përgjithësim” për ngjarjen, që u ka shkuar të gjitha degëve të Rendit Publik në rrethe.
Një dokument, ku pas përshkrimit të ngjarjes, janë renditur edhe meritat e të metat e hetimit, me qëllim që materiali të lexohej nga uniformat blu në gjithë vendin për të shërbyer si përvojë në punën e tyre të mëtejme. Kështu, për herë të parë ky dokument zbardh veprimet e Policisë për zbulimin e krimit, mënyrën se si u shkua te dy autorët, vëllezërit Ditbardh e Josif Çuko, punën e saktë dhe meritën e pakundërshtueshme të një eksperti kriminalistik nga Vlora, si dhe zbardhjen e motivit të vrasjeve. Më poshtë, përmbajtja e dokumentit që botohet për herë të parë.