Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Incidenti i punonjësit të policisë me reporteren e njohur Anila Hoxha, akt i dhunshëm policor Tiranë më 6 nëntor 2021
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër sjelljen e dhunshme të punonjësit të policisë ndaj reporteres Anila Hoxha në vendin e quajtur Qafë Mollë, në zonën e Dajtit, ku reporterë të medias shqiptare gjatë datës 6 Nëntor 2021 u ndodhën pranë një vendngjarjeje për të raportuar për mediat. Shtyrja dhe sjellja brutale e një punonjësi policie e cila i rrezikoi jetën reporteres Hoxha, përbën një akt të përsëritur punonjësish me uniformën e policisë së shtetit ndaj reporterëve dhe operatorëve të mediave vendore dhe kombëtare. Reagimi i menjëhershëm i koleges Anila Hoxha, në respekt të mbrojtjes së integritetit fizik dhe denoncimit të natyrës agresive të punonjësit të policisë së shtetit, gjejnë mbështetjen e plotë të organizatës sonë. Ne mbështesim fuqimisht solidaritetin e kolegëve gazetarë dhe reporterëve të pranishëm në vendndodhjen e incidentit.
UGSH u kërkon titullarëve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të reagojnë me veprime konkrete ndëshkuese ndaj individëve të tillë të cilët duhet të njohin dhe respektojnë në çdo rast integritetin fizik dhe atë profesional të reporterëve në krye të detyrës. Akte të tilla të përsëritura gjatë këtij viti, dëshmojnë qartazi se punonjës të tillë e kanë jo vetëm sjellje, por mesa duket natyrë, cënimin fizik me gazetarët dhe reporterët në terren.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në solidaritet të plotë me kolegen Anila Hoxha dhe gjithë reporterët e Kronikës të pranishëm në vendin e ndodhisë, mbetet në pritje të reagimit të menjëhershëm institucional dhe ligjor ndaj punonjësit..
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë