Deklaratat e Berishës, ambasadorja Yuri Kim reagon nga Uashingtoni: Jemi seriozë sa i përket korrupsionit. SHBA do të vijojnë të…
TIRANË
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Fieri.
Ajo shkruan në “Twitter” se ndodhet në Uashington për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, teksa thekson se “ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit, apo përfshirjes së politikanëve të lartë në korrupsion”.
Ambasadorja Kim deklaron se SHBA do jenë në Shqipëri edhe për 30 vitet e ardhshme dhe më gjatë, siç ka qenë këto 30 vite.
“Në Uashington për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit duke përfshirë rastet kur liderët ose politikanë të lartë të vendeve të caktuara përfshihen në çështje korrupsioni masiv. Ndërsa, mbështesim një Shqipëri më demokratike, më të fortë dhe më të begatë. SHBA ka qenë në Shqipëri për 30 vitet e fundit dhe do të vazhdojmë të jemi me ju për 30 vitet e ardhshme e më tej”, ka shkruar Kim.
Berisha i cilësoi materialet ku u bazua vendimi i DASH për shpalljen e tij ‘non grata’ shpifje. Ai tha sot nga Fieri se nuk ka mohuar ekzistencën e dosjes, por se ato janë të bazuara në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave dhe të qeverisë së Ramës dhe sipas tij janë të gjitha shpifje.