
Ish-kryeministri Sali Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi si personin që emëroi në postin e lartë të shërbimit sekret Frederik Ymerin, të cilin e quajti si “aset” të rusëve.
Gjatë një deklarate për media nga selia e PD, Berisha tha se edhe vetë Fatos Klosi ka qenë i dyshuar për lidhje me dy shërbime sekrete të tjera.
Ish-zyrtari i lartë i SHISH, Frederik Ymeri është i pandehur nga SPAK së bashku me 4 ish-zyrtarë të tjerë, të dyshuar se kanë shitur informacione sekrete në këmbim të shumave monetare apo favoreve të tjera.
Për incidentin e Gramshit ku u arrestuan tre shtetas rusë të dyshuar si spiunë, Berisha kërkoi hetime të thelluara për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Njëri prej figurave më kyçe të SHISH, Frederik Ymeri, ishte aset rus. Ai nuk është i izoluar, Fatos Klosi ndiqej nga shërbime inteligjente shqiptare për lidhje të dyshimta me dy shërbime të tjera, Frederik Ymeri, e emëroi në detyrën më të lartë në drejtorinë më të rëndësishme të SHISH, pikërisht Fatos Klosi. Mund të themi se agjenturat e huaja, direkte apo me influencë janë të lidhrua deri në kreun e qeverisë të këtij vendi. Siguria kombëtare sot në shumë aspekte është e kërcënuar, fatmirësisht Shqipëria është vend anëtar i NATO, dhe askush s’mund të luaj me sovranitetin e saj territorial”, tha ndër të tjera Berisha.