Davide Pecorelli: Kam gjetur thesarin e Montekristos, 250 kg monedha ari
Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri, vazhdon të befasojë median e vendit fqinj. Për tetë muaj ai rezultonte i zhdukur, duke ngjallur spekulime të shumta.
Por 45-vjeçari u shfaq në një gomone të prishur pranë ishullit të famshëm të Montekristos. Menjëherë mediat italiane raportuan se ai ishte në kërkim të një thesari që përflitet prej shekujsh.
Për shkak të borxheve të shumta, Pecorelli kishte nisur të besonte ekzistencën e thesarit të famshëm. Por në një intervistë për Rai 1, ai ka thënë se e ka gjetur thesarin e Montekristos.
Duke folur për ‘La Vita in Diretta’, Pecorelli tha se bëhet fjalë për 250 kilogram monedha ari.
Për prokurorët ai ka thënë se ka kryer krime në Shqipëri. Bëhet fjalë për shkatërrim prone me zjarr dhe dëmtim të varrezave. Në fakt në makinën e djegur u gjet një kafkë njerëzore.
‘Situata ishte dramatike në nivel ekonomik. Në këtë pikë vendosa të kryej vetëvrasje, por fillimisht shkova të rrëfehem te një prift. Ai më foli për mundësinë e vjedhjes së ehstrave. Më pas më tha që t’i vendos në një makinë dhe t’ia vë flakën’.
Pecorelli nuk e jep emrin e priftit, duke thënë se ai i ka shpëtuar jetën dhe nuk do e tradhtonte kurrë.
Hetuesit në Itali kanë zbuluar se ai kishte probleme financiare dhe po përballej me falimentimin. Por ish-arbitri thotë se nuk është zhdukur me qëllim marrjen e siguracionit të jetës, me vlerë 300 mijë euro.
Ai thotë se prifti e dërgoi në një manastir në Bosnje, ku qëndroi për tetë muaj. Por mediat shqiptare kanë zbuluar se ai ka jetuar në Vlorë, duke shijuar jetën e ëmbël.
Në fund, fantazia kap kulmin. Pecorelli thotë se ka gjetur thesarin me 250 kg monedha ari, secila 5 gram. Ai thotë se do ia japë gjysmën priftit që i ka treguar vendndodhjen.