Një mesazh në “inbox-in” e mesazheve të ish-kryeministrit Sali Berisha ka detyruar Policinë e Tiranë që të publikojë një tjetër njoftim zyrtar lidhur me plagosjen e ndodhur më 17 shtator. Sot, ish-kryeministri tha se ndaj dy të rinjve në zonën e njohur si “Qafë Kashar” në Tiranë, kishin qëlluar një punonjës i Gardës së Republikës, Adriatik Cena; djali i kreut të PS-së në Vorë dhe miku i tyre, Luan Lame.
Në njoftimin e Policisë, u bë me dije se pikërisht këta tre persona ishin shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri. Por mospërputhjet e njoftimeve të Policisë nuk përfundojnë këtu. Natën e përplasjes u raportua për dy të plagosur, të cilëve u dolën edhe inicialet.
“Rreth orës 00:05, tek “Mbikalimi i Qafë-Kasharit”, në rrethana ende të paqarta dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit E. S., 20 vjeç dhe N. M., 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve,”-thuhet në njoftim. Po ashtu edhe mesazhi që ka publikuar Berisha flet për dy persona të plagosur, të cilët pretendohet se janë në gjendje të rëndë. Ndërkohë që në njoftimin e sotëm, flitet për një tjetër të plagosur, ndërsa dy të parët janë “zhdukur”. Kësaj herë sipas Policisë, i plagosur ka mbetur një 21-vjeçari me iniciale R.S., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, i cili nëse i referohemi njoftimit të parë as nuk ka qenë në makinë me të rinjtë.
Kë po përpiqet të mbrojë Policia me ndryshimin e të dhënave? Përse u desh që media t’i jeptë “zë” mesazhit të Berishës, që vetëm pak minuta më pas Policia të jepte njoftimin zyrtar?
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur, me datë 17.09.2021, në Qafë Kashar.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 17.09.2021, rreth orës 00:05, në Qafë Kashar, bazuar në provat e grumbulluara, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit: L. L., 23 vjeç, B. A., 27 vjeç dhe A. C., 26 vjeç. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se si pasojë e konfliktit, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës nga njëri prej shtetasve të lartpërmendur është plagosur me armë zjarri shtetasi R. S., 21 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës, teksa Noa Mato dhe Enis Sanxhaku, ishin duke u kthyer nga kalçetoja. Të dy, si pasojë e një manovre të gabuar kanë konflikuar me 2 drejtues të tjerë mjetesh, duke nisur edhe me një përplasje me armë zjarri.