-Tritol makinës së Elton Debreshit, arrestohet vëllai i tij si autor i ngjarjes…
Alfred Debreshi, vëllai i minatorit Elton Debreshi, është arrestuar nga Policia e Bulqizës, pasi akuzohet se i ka vendosur një sasi lënde plasëse tritol, makinës së vëllait të tij, ditën e djeshme. Policia ka mundur të zbardhë ngjarjen.
Në media u aludua se sulmi ndaj Debreshit, bëhej për shkak se ai kishte ngritur zërin për minatorët dhe u përfshi në fushatën politike të 25 prillit, si kandidat i pavarur. Por në fakt, siç ka arritur të zbardhë Policia, ngjarja është krejt tjetër.
Bulqizë
Zbardhet ngjarja e ndodhur mesnatën e datës 27.08.2021, ku automjetit të shtetasit Elton Debreshi, iu vendos një sasi e vogël lënde plasëse.
Vihet në pranga autori i dyshuar.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mesanatën e datës 27.08.2021, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë nën drejtimin e Prokurorisë, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, dhe si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:
Alfred Debreshi, 29 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ky shtetas dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin tip ‘Mercedez Benz’, në pronësi të vëllait të tij shtetasit Elton Debreshi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.