Bosët e ndërtimit/ Si u nda “torta 100 mln euro” e Unazës së Madhe të Tiranës
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur në fundjavë rezultatet e tenderit me 6 lote, me fond limit mbi 100 milionë euro, për ndërtimin e Unazës së Madhe nga ish-rreth rrotullimi “Shqiponja” deri në periferinë lindore të Tiranës.
Projekti, i shumë-debatuar për shkak të kostove të fryra dhe vonesave në zbatim, pritet të mbyllet deri në fund të vitit 2023, sipas deklaratave publike të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në tenderin për të ndarë mbi 130 miliardë lekë të vjetra garuar kompani ndërtimi, të cilat kanë përfituar më shumë fonde publike gjatë mandateve qeverisës së Edi Ramës.
Në vijim, janë rezultatet e tenderave dhe fituesit sipas lotëve.
Tenderi me objekt “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i ri – Shkozë, Urat mbi lumin Tirana” dhe me fond limit 2.559.318.901 lekë, është fituar nga kompania “Alb-Star”.
Kompania “Alb-Star”, e cila zotërohet nga ‘Finman” shpk në pronësi të Sadik dhe Idajet Ismailaj, paraqiti ofertën ekonomike 1.987.865.274 lekë të reja pa TVSH.
Sipas të dhënave zyrtare, në tender morën pjesë 6 konkurentë, nga të cilët u skualifikuan 4 prej tyre nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Tenderi me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5” dhe me fond limit 1.939.309.894 lekë të reja, është fituar nga kompania “G.P.G” shpk.
Kompania “G.P.G” është në pronësi të Paqsor Buzi dhe Gëzim Dami, paraqiti ofertën ekonomike me vlerë 1.802.764.499 lekë.
Ajo nuk ishte oferta më e ulët ekonomike, megjithatë “G.P.G” shpk u shpall fituese, pasi autoriteti kontraktor skualifikoi më parë 4 operatorë garues, për shkak të asaj që Autoriteti Rrugor Shqiptar i konsideroi si mangësi në plotësim kriteresh.
Tenderi me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2” dhe me fond limit 2.386.175.789 lekë, është fituar nga kompania “4-AM”.
Kompania “4-AM” është në pronësi të Ardit Metaliaj dhe ajo paraqiti ofertën 2.386.175.789 lekë të reja.
Në këtë procedurë morën pjesë 6 konkurentë, dy prej të cilëve u skualifikuan pasi nuk paraqitën ofertë ekonomike. Kompania fituese rezulton se ka paraqitur ofertën më të ulët ekonomike.
Tenderi me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4” dhe me fond limit 2,096,958,794 lekë të reja, është fituar nga bashkimi i operatorëve kompania “Euroteorema Peqin” shpk + “PE VLA KU” shpk+ “Nova Construction” shpk.
“Euroteorema Peqin” është në pronësi të grupit italian “Euroteorema” S.p.a” dhe Hidajet Rraklli.
– “PE-VLA-KU” shpk është në pronësi të Vladimir Pjetërgjokaj dhe Kujtim Arifaj
– “Nova Construction 2012” është në pronësi të Ilir Shtufi dhe Kujtim Shtufi.
Ky bashkim operatorësh paraqitën ofertën ekonomike në shumën 1.991.017.847 lekë të reja.
Në tender rezulton se kanë marrë pjesë 8 konkurentë, nga të cilët janë skualifikuar 7 prej tyre. Operatori fitues nuk rezulton të ketë ofertën më të ulët.
Tenderi me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6” dhe me fond limit 1.816.355.589 lekë të reja, është fituar nga kompania “Gjoka Konstruksion”.
Kompania, e cila është në pronësi të biznesmenit Rrok Gjoka, ka paraqitur ofertën ekonomike në shumën 1.716.910.907 lekë të reja.
Në tender kanë marrë pjesë 13 operatorë ekonomikë, nga të cilët janë skualifikuar 11 prej tyre.
Tenderi me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7” dhe me fond limit 2.353.597.373 lekë të reja, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impkeks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk
Kompania “Alko Impeks General Construction” është degë e huaj e kompanisë me të njëjtën emër të regjistruar në Kosovë. Kjo kompani është pjesë e grupit “Usluga”, të themeluar nga ish-deputeti socialist, Sadri Abazi.
Kompania aktualisht administrohet nga nipi i ish-deputetit, Arbër Abazi.
Ndërsa kompania tjetër, “2T” është në pronësi të Artan Sako dhe Dritan Troksi.
Ky bashkim operatorësh paraqitën ofertën ekonomike me vlerë 2.261.328.720 lekë të reja.
Në tender merrnin pjesë 6 operatorë ekonomikë, pesë prej të cilëve u skualifikuan.