Agron Shehaj, ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht deputet në radhët e bluve ka zbardhur versionin e tij përsa u përket debateve brenda dyerve të selisë. Në një postim në Facebook, Shehaj shkruan se ai i është drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha duke i thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e PD-së nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por ka një përçarje të madhe dhe se s’mund të jetë dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati”.
Shehaj shton se agjenda s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike. Përsa u përket akuzave se ka blerë vota për kryetar partie me paratë e ‘llumit të shoqërisë’, të cilat u adresuan nga nënkryetarja e PD-së, Grida Duma dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, deputeti nuk ka preferuar të japë asnjë koment.
“Nisur nga zbardhja e manipuluar e debatit, e shpërndarë në media me qëllim për të më denigruar dhe fshehur të vërtetën, ndihem i detyruar të bëj publik qendrim tim në mbledhjen me dyer të mbyllura. Iu drejtova z.Basha duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati. Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike. Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment,”- shkruan Shehaj.
Debatet brenda Partisë Demokratike u zbardhën nga GazetaPanorama e cila shkruante se Duma, Bardhi e Basha kishin debatuar ashpër me Shehajn, duke e akuzuar për blerje votash gjatë zgjedhjeve në PD. Madje Bardhi ka shtuar se ka edhe video që i vërtetojnë fjalët që ka thënë.