Lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990 solli një ndryshim të madh në historinë e shqiptarëve. Protestat studentore të datës 8 deri më 12 dhjetor sollën pluralizmin politik në Shqipëri. Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol se “si ka ndryshuar jetesa e studentëve të dhjetorit të ’90 pas 30 vitesh?”.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin ishte gazetari i njohur, Blendi Fevziu, i cili tregoi se si e ka përjetuar atë kohë.
“Kam qenë në momentet e fundit të demonstratës. Nuk e kam ditur se çfarë po ndodhte, por rrugës po dëgjoja “ka demonstratë poshtë, po vjen”. Kam parë disa nga miqtë e mi dhe e kemi bërë rrugën bashkë”, tha ai.
Ndërkohë kur në ekran u shfaq një foto e asaj periudhe, Fevziu u shpreh se është imazhi i vetëm që ka nga ai moment emocionues. Ndërkohë shtoi se ata nuk e dinin se do sillnin revolucion, pasi është fjalë shumë e madhe.
“Fjala revolucion është shumë e madhe. U gjeta para një grupi studentor, kisha frikë se kishte polic. Kur pashë një shok të kursit nga Gramshi të kapur për dore me disa të tjerë, aty më iku frika. Një gjë ishte e bindur, duke qenë shumë veta do kishte pak reagime ndaj nesh. Por aty do luhej edhe një ndeshje Dinamo-Partizani që konsiderohej si derbi, dhe duke qenë se prisnin edhe tifozë që mund të bashkoheshin me protestën, filloi shpërndarja e dhunshme”, tha gazetari i njohur.
Bledi u shpreh se 7-8 persona në ato momente kanë hyrë në një banesë, pasi të gjitha shtëpitë tiranase në ato momente kanë hapur dyert për studentët.
“Por ka patur edhe studentë që u rrahën në mënyrë kafshërore, kishte studentë që ngelën në baltë. Kur kam dalë nga shtëpia ku isha vendosur për të dalë në qendër për të parë se çfarë do ndodhte, rruga ishte e mbushur me fletë, pasi studentët kishin lënë librat dhe fletoret”, vijoi Fevziu.