Bizneset “VIP” i kërkojnë parlamentit, 104 milionë Euro amnisti fiskale në fundvit, nën “maskën” e pandemisë dhe krizës
Propozimi i është dorëzuar Ministres së Financave, për ta paraqitur në Kuvend/ Nëse Komisioni i Ekonomi Financës, Komisioni i Ligjeve, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese dhe deputetët e votojnë, kjo nismë financiare sa 3 buxhete vjetore të Bashkisë Tiranë, do jetë “dhuratë” në prag të Vitit të Ri, për pasanikët e lidhur me bosët e politikës dhe firo në buxhetin e shtetit në këtë kohë krize çmimesh për popullatën, të sajuar nga vetë oligarkët në pazar me qeveritarët
Populli ka këtë fjalë të urtë për varfërinë: “Në vend të qahet fukarai, vë kujën agai”; e kështu po ndodh këto ditë, kur çmimet e ushqimeve e shërbimeve janë rritur, ndërsa kryeministri Rama, njoftoi “me gëzim” për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas informacionit konfidencial nga Ministria e Ekonomi-Financave, një përfaqësi e bizneseve “VIP”, i ka kërkuar ministres Delina Ibrahimaj, të paraqesë në Kuvend, propozimin e tyre për amnisti fiskale në fund të këtij viti.
Kërkesën për amnisti, bizneset “VIP” e motivojnë me rikthimin e pandemisë, sikur gjoja u ka shkaktuar pakësim të fuqisë punëtore e volumeve të punës; dhe sidomos me krizën e çmimeve, që ka nisur në tregjet ndërkombëtare e brenda vendit.
Në fakt, referuar bilanceve tatimore të viteve 2020-2021, nuk rezulton që bizneset “VIP”, të kenë pakësim të fuqisë punëtore nga pandemia, rënie prodhimi e shërbimesh, apo rritje çmimesh të lëndëve të para, por shtim të ardhurash e kapitalesh në masën 20%-30%.
Siç duket, kërkesa e tyre është skenar mes kupolës së qeverisë e opozitës, për t’u fshirë detyrimet ndaj shtetit, gjë të cilën nuk mund ta bëjë dot Rama as me akt-normativ në kohë “lufte”.
Siç kanë vepruar dhe me 4 amnisti të tjera në vitet 2014-2020, për falje të vlerës së TVSH-ës në bizneset e ndërtimit, ushqime me shumicë, HEC-e private, Rentës Minierare, të faturave të energjisë dhe gjobave tatimore, doganore, bashkiake e të agjensive qeveritare.
Siç duket, Babloku, “Tigri” dhe shefat e opozitës, që kanë miq oligarkë e biznesmenë “VIP”, donatorë makinash dhe vilash luksi; kanë rënë dakord, që si skenar të përdorin paraqitjen e kërkesës së bizneseve në Ministrinë e Financave; dhe nëpërmjet saj në komisioniet parlamentare përkatese, për ta bërë ligj e votuar në parlament me shumicë të cilësuar.
Prandaj nuk është rastësi, që propozuesit, janë emra të lidhur ngushtë me kupolën qeveritare; si Luan Bregasi, Çim Fusha, Rrok Gjoka, Gentian Sula, Salillari, Ulaj, Gjikuria, Abazi etj., që marrin 80% të fondeve e pasurive publike me tendera e koncesione.
Për shkak të periudhës së kufizuar kohore me lojën e debateve në 3 komisione parlamentare, thuhet se propozimin e bizneseve “VIP” për t’u fshirë detyrimet e pashlyera, ministrja e Ekonomi-Financave, Delina Ibrahimaj, do ta paraqesë në Kuvend javën e fundit të tetorit.
Ja për çfarë përfitimesh e kërkojnë amnistinë fiskale
– Fshirja e detyrimeve fiskale të pa shlyera doganore.
– Fshirja e detyrimeve tatimore për sigurimet shoqërore-shëndetësore të punonjësve.
– Fshirjen e taksave lokale, qendrore e rajonale.
– Fshirjen e raporte-gjobave, vendosur nga hetimet tatimore-doganore në vitet 2020-2021.
– Pranimin si të rregullta, të faturave të lëshuara pa TVSH gjatë periudhës mars 2021, dhe faturave që do lëshojnë deri më 31 dhjetor 2021.
Nëse Komisioni i Ekonomi Financës, i Ligjeve, i Veprimtarive Prodhuese dhe deputetët e votojnë këtë propozim; vlera e amnistisë është 104 milionë Euro, “dhuratë” në prag të Vitit të Ri për pasanikët e lidhur me bosët e politikës; dhe firo shteti në këtë kohë krize çmimesh.
Kryeministri Rama, apo “Tigri” zëvendës i tij, nëse do të pyeten sot, për këtë kërkesë aministie, pa dyshim që do ta mohojnë; ndërsa pasi ta miratojnë, do thonë se se kjo falje financiare për pasanikët, i shërben… rritjes ekonomike të vendit dhe mirëqenies së popullit….