“Më mirë një qiri i fikur, sesa një qiri i fëlliqur”, Berisha: Basha është peng, unë e kam mbështetur më shumë se të gjithë!
Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët e Fierit, në kuadër të nismës “Foltorja”, nëpërmjet të cilës ai kërkon të nisë një ndryshim të PD-së nga baza, duke kërkuar largimin e Lulzim Bashës, që tashmë e quan “ish kryetar”.
Berisha ka përsëritur faktin se Basha ka shkelur të gjithë rregullat e brendshme dhe statutore të PD-së dhe ka dorëzuar sovranitetin e partisë, për shkak se është “peng”.
“Ju jeni njerëzit e vlerave, të besimit, të lirisë, të të ardhmes së vendit.
Atyre që janë në këtë sallë dhe kanë mbështetur Lulzim Bashën, të tjerët që nuk janë këtu, apo ata që nuk e duan Berishën, u them një fjalë, më shumë se të gjithë ju, Lulzim Bashën e ka mbështetur Sali Berisha. Ju keni mbështetur kryetarin e PD-së, unë kam mbështetur kryetarin e PD. Asnjëri nga ne, kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend, se kryetari ynë një ditë, i marrë peng në mënyrë absolute, do të mundej që pa pyetur asnjeri, asnjë forum, asnjë nen statuti, asnjë parim mbi të cilin është ndërtuar PD, del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e Partisë Demokratike.
Secili nga ju ka të drejtë të shtrojë një pyetje; doktori e ka për vete këtë nismë apo për PD? Ju jap fjalën e nderit se e kam kryekëput për PD-në dhe anëtarësinë e saj.
Ne kemi një fjalë të urtë, më mirë qiri i fikur sesa qiri i fëlliqur!
Çështjen time personale do t’ua shpjegoj, por ama që në krye të rradhës, unë nuk kam dashur të implikoj njeri mbi tokë përveç vetes time. Kam vendosur të nesërmen që shpalli vendimin Sekretari i Shtetit, kam vendosur ta çoj në gjykatë për shpifje, jo për vendimin. Vendimin mbaje, përcakto kush duhet të hyjë dhe jo në vendin tënd, por vendimin e ke të bazuar në shpifje”, tha Berisha ndër të tjera.