Aksident në aksin Berat-Skrapar, përplasen dy mjete, plagosen 4 persona, mes tyre 2 fëmijë. Flet shoferi italian: Makina më erdhi përballë në korsinë time.
Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Berat-Skrapar. Dy automjete janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën në vendin e quajtur “Qafë Hoxhaj”.
Mjetet, njëra tip “Golf” me targa AA 363 DI dhe tjetra tip “Seat” me targa AA 679 BT, kanë pësuar dëmtime të mëdha, ndërkohë që 4 shtetas (pasagjerë në të dyja mjetet) janë plagosur, mes tyre edhe 2 fëmijë.
Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Beratit dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se ka qenë mjeti tip “Golf” që vinte nga Skrapari në drejtim të Beratit dhe që drejtohej nga Xhulio Katillari ai që ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka hyrë në korsinë e mjetit “Seat” që drejtohej nga shtetasi italian Guido Sivori, duke e goditur fuqishëm ballazi.
Shtetasi italian Guido Sivori tregon edhe momentet e aksidentit dhe tronditjen që pësuan familjarët e tij.
“Unë isha në të djathtë, me shpejtësinë e lejuar dhe makina tjetër doli nga kthesa dhe erdhi në sensin e kundërt. U përpoqa ta evitoja, por nuk ia dola. Nuk e vura re, ishte me shpejtësi dhe përplasja ishte ballore në korsinë time. Isha me familjen time dhe janë mirë”, rrëfeu shoferi italian.