Afera e shekullit / “Bankers Petroleum” kërkon 700 milionë euro në Arbitrazh?! Pas 16 vite plaçkitje të naftës bëhet gati për vjedhjen e fundit dhe për t’ia mbathur
Mafia “Bankers Petroleum” që deklaron mbi 400 milionë USD të ardhura në vit dhe bën letrat sikur del me humbje mësohet se i kërkon shtetit shqiptar 700 milionë euro dëmshpërblim në Arbitrazh. Të përfshirë drejtorë dhe ministra të Edi Ramës. Harrojeni 110 milionë euro për Francesco Bechetin.
Shqipëria vijon të mbetet një vend i dorës së tretë, kur kompani të huaja me pronarë të kamufluar, në bashkëpunim me qeveritë e korruptuara në vend, zhvatin pasuritë kombëtare dhe buxhetin e shtetit. Për 30 vite me radhë, për shkak të qeverive njëra më e korruptuar se tjetra, të huajt kanë gjetur shesh për të bërë përshesh në Shqipëri, duke shfrytëzuar pasuritë publike, shmangur taksat, manipuluar bilancet dhe ndarë një pjesë të parave me pushtetarët e korruptuar vendas dhe drejtësinë që të mos veprojë. Me taksat e shqiptarëve do t’i paguhen 110 milionë euro Francesco Bechetit, pasi Edi Ramës iu tek t’i rrethonte dhe mbyllte televizionin, pasi Becheti bezdiste dhe ishte konkurrent i Vjollca Hoxhës dhe Aleksandër Frangajt.
Pas pesë vite vjedhje me Ilir Metën dhe Sali Berishën, me kosto rreth 500 milionë euro, CEZ u larguar nga Shqipëria, duke marrë edhe 400 milionë euro të tjera si peshqesh, falë një marrëveshje me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn. Rastet e tjera janë të shumta dhe secili më korruptiv se sa tjetri, ndërsa prokuroria dhe SPAK nuk ka vënë askënd para përgjegjësisë. Nëse CEZ dhe Becheti tashmë kanë marrë paratë dhe kanë ikur, sot kemi një kompani, e cila u vjedh qindra milionë euro shqiptarëve përmes grabitjes së naftës, ndërsa po bëhet gati për vjedhjen e fundit, me shumë gjasa për t’u larguar.
Bëhet fjalë për kompaninë naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”, e cila grabit prej 16 vitesh pasurinë nëntokësore të shqiptarëve, në bashkëpunim me kupolën politike mafioze të Tiranës, ndërsa paratë i çon me thasë në parajsa fiskale. Për 16 vite “Bankers Petroleum” ka vjedhur mbi 3 miliardë euro, duke manipuluar çdo vit bilancet, falsifikuar investimet dhe shpenzimet, për të shmangur derdhjen e taksave në buxhetin e shtetit. Paratë që duhet të shkonin në buxhet, kanë përfunduar në parajsat fiskale, ndërsa një pjesë ndahen me zyrtarët e radhës në pushtet dhe vazhdimisht me prokurorë dhe gjyqtarë, që të mos veprojnë për të mbrojtur pasurinë publike.
Sipas burimeve, krahas vjedhjeve vjetore ku deklaron mbi 400 milionë USD të ardhura në vit dhe në fund bën letrat sikur del me humbje, “Bankers Petroleum” ka paditur shtetin shqiptare në Arbitrazh, duke i kërkuar 700 milionë euro dëmshpërblim. Gjithçka po mbahet sekret dhe vetëm një rreth i ngushtë është në dijeni të aferës që po gatuhet, e cila nëse realizohet, do të mbetet si afera më e madhe financiare në historinë e Shqipërisë. Sipas burimeve të besueshme, për të përgatitur rrethanat për padinë në arbitrazh janë përfshirë drejtorë dhe ministra të Edi Ramës, duke krijuar kushtet për një dëm financiar të rremë. Në vijim do të sjellim detaje të reja rreth padisë së “Bankers Petroleum”, e cila është favorizuar nga tre qeveri, qeveria e Fatos Nanos, e Sali Berishës dhe prej 8 vitesh nga qeveria e Edi Ramës.
Kjo nuk është hera e parë që Bankers Petroleum kërcënon me padi në arbitrazh. Vjedhja 16-vjeçare nga Bankers Petroleum është një histori vjedhje, por është edhe një histori kërcënimesh dhe shantazhi, për të rritur pazarin. Kompania shtetërore Albpetrol nuk i njohu Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime në vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej Tatimeve.
Bankers Petroleum iu drejtua Arbitrazhit. Gjykata e Arbitrazhit, në shkurt të vitit 2015, penalizoi shteti shqiptar me një vendim për t’i paguar 57 milionë dollarë Bankers. Një muaj më pas, në prill të vitit 2015, Edi Rama kërcënoi Bankers, duke e paralajmëruar se do të kërkonte një audit ndërkombëtar për veprimtarinë e saj korruptive.
Edi Rama deklaroi se “Këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë, të një sistemi të korruptuar dhe zhvatësish e grabitësish që shtrihet në të gjithë zinxhirin. Bazuar në auditin ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shtetit shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada”.
Paralajmërimi rezultoi thjeshtë një presion për pazar dhe për të rindarë paratë. Ndaj Bankers Petroleum jo vetëm që nuk u morën masa, por qeveria u tërhoq edhe nga një betejë për t’i kërkuar kompanisë 60 milionë dollarë në formën e tatimit të fitimit të papaguar në vitin 2014. Edi Rama, që nga ajo ditë, nuk foli më për grabitjen e pasurisë nëntokësore dhe Bankers Petroleum vijon të mos paguajë taksa.
“Bankers Petroleum” e solli në Shqipëri qeveria e Fatos Nanos në qershor të vitit 2004, në shkelje flagrante të ligjit, pasi kompania nuk plotësonte asnjë kusht. Bankers ishte regjistruar vetëm tre muaj para në parajsën fiskale të ishujve Cayman.
Bankers Petroleum fitoi një kontratë koncesioni në vitin 2004 në bazë të së cilës, kompania merr përsipër të investojë për rritjen e prodhimit të naftës në vend dhe të paguajë 50 për qind tatim mbi fitimin pasi investimi fillestar të jetë rikuperuar. Përgjatë viteve, Bankers raporton se ka investuar rreth 1.7 miliardë dollarë në Shqipëri, shumë që do të duhet të rikuperohet nga fitimet para se kompanisë t’i lindë detyrimi të paguajë tatim mbi fitimin.
Kjo ishte edhe skema e parë e vjedhjes, pasi investimi 1.7 miliardë USD, ishte një mashtrim për të mos paguar taksa. Edhe pas mbulimit të këtij investimi të pretenduar, Bankers Petroleum vijoi avazin, duke deklaruar shpenzime fiktive aq sa fitimet, për të mos paguar taksat, ndërsa u përfshi në shkelje të rënda me prokurimet. Sali Berisha u përbetua se do ta ndalonte abuzimin e Bankers, por vetëm sa rriti pazarin. Edi Rama u përbetua gjithashtu se do ta ndalonte Bankers, por me sa duket, përveç faljes së gjysmës së fitimit, do t’i japë edhe 700 milionë euro peshqesh kompanisë mafioze dhe më grabitqare në historinë e shtetit shqiptar.