Merr një tjetër rrjedhë dosja e Safet Gjicit. Avokatja e gruas me inicialet A.K. 40-vjeçe ka nxjerrë një tjetër version. E ndërsa Gjici tha se kishte një lidhje të gjatë me gruan, avokatja Natasha Velia tha se qëllimi i videos ishte për ta demaskuar kryetarin e bashkisë që dha dorëheqjen pas skandalit.
“A. K. dhe Safet Gjici nuk kishin asnjë lidhje. Ajo ishte e vetëdijshme për të kryer një inskenim, për ta demaskuar këtë zyrtar shtetëror. Ata njiheshin në mënyrë sipërfaqësore. Aktin seksual e ka kryer për ta demaskuar Gjicin.
Unë nuk jam e autorizuar të nxjerr punën e saj. Ajo ka punuar në natyrën e saj investigative, ka kryer këtë funksion, duke demaskuar personalitete të tilla në administratën shtetërore. Ajo ka demaskuar dhe personazhe të tjerë. Ajo nuk ka dashur që video të bëhet virale, ndodhi aksidentalisht.
Sa i përket projektit, u përdor që të bëhej më i besueshëm roli i saj. Projekti ekziston, por nuk ishte objekt për t’u bërë tender, për t’u realizuar”, tha avokatja.