Fatjon Harusha, shënjestra e atentatit të djeshëm në Shkodër, ka treguar për herë të parë momentet kur dy persona qëlluan me armë zjarri drejt makinës së tij tip “Hyundai”.
Edhe pse Policia ka arrestuar si të dyshuar kryesor për ngjarjen, Gjekson Pusin, dhe ka shoqëruar një femër, e cila dyshohet se ka qënë bashkëpunëtore në ngjarja, sërish Harusha është shprehur se nuk i ka pikasur fytyrat e atentatorëve.
Ndërsa i pyetur për konflikte të mëparëshme, 30-vjeçari u shpreh se nuk kishte probleme me asnjë dhe se nga plumbat kishte shpëtuar vetëm pasi ishte shmangur.
“Unë nuk e kam idenë se kush janë autorët. Nuk arrita t’i shoh dhe nuk kam asnjë ide se kush janë. Personalisht nuk kam asnjë konflikt me persona të tjerë apo probleme, ndaj edhe nuk e kam idenë përse ka ndodhur kjo ngjarje. Autorët as nuk i njoh dhe as nuk e di pse më qëlluan. Kur pashë se po qëllonin në drejtim të makinës sime, menjëherë i dhashë shpejtësi, u shmanga dhe më pas u larguan,”– ka rrëfyer Harusha.
Një ditë më parë, në orën 12:30, 30-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash teksa po qarkullonte me një mjet tip “Hyundai”. Dyshohet se ndaj tij ka qëlluar 33–vjeçari Gjekson Pusi, i hipur me një motor të lojit “Papaq”, bashkë me një grua që ishte veshur me bluzë të bardhë. Pusi është arrestuar ditën e sotme, dhe dyshohet se ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Hekuran Billës, pak javë më parë tek Komuna e Parisit.
Por arrestimi i 33-vjeçarit Pusi na bën të dyshojmë se Harusha dhe Billa kanë pasur një ‘armik’ të përbashkët, ndërkoha që ende nuk dihet lidhja mes tyre. A njihej Harusha me Billën? Hetimet e metejshme pritet të zbardhin detaje nëse Pusi kishte vërtet konflikt me të dyja palët, apo është thjesht një ‘vegël’ për t’i sulmuar ata.