Ministria e Financave nxjerr të tjera shkelje me tenderat dhe menaxhimin e financave. Janë 1.2 miliardë lekë të munguara në buxhetin e shtetit nga skandalet me fondet publike. Institucionet vendosin kritere që i plotësojnë vetëm kompanitë që favorizohen, kushtet ndryshojnë edhe pas firmosjes së kontratave madje dhe kontratat nuk realizohen tërësisht. Pavarësisht kësaj, Ministria e Financave nuk flet me emra.
1.2 miliardë lekë është dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit në 12 muaj për shkak parregullsive në sistemin financiar.
Ashtu siç pritej, tenderat zënë 45 përqind të abuzimeve.
Të dhënat janë bërë publike nga vetë Ministria e Financave, ku janë marrë në analizë performancat e njësive, menaxhimi i të ardhurave e shpenzimeve dhe auditimet.
Sa i përket prokurimeve, kriteret e tepërta si dhe përllogaritja e fondit limit, të cilat nuk argumentoheshin dot nga autoritetet kontraktore janë rastet e evidentuara më shpesh.
Megjithatë në raport është folur vetëm në parim dhe pa përmendur asnjë emër apo institucion.
Madje rezulton se institucionet prokuruese kanë ndryshuar kriteret e kërkuara në shpalljen e prokurimit edhe pasi kanë nënshkruar kontratat.