Sot, doli nga shtypi libri që i kam kushtuar babait tim: “ Një jetë kushtuar mjekësisë”
Kujtimet e mjekut të Aviacionit, Dr. Kareman Abas Hasko – Aliaj.
Monografi.
Redaktor: Kristaq F. Shabani
Art grafik dhe kopertina: Alketa e Dorela Aliaj
Falënderoj Prof. Kristaq F. Shabani për Redaktimin dhe përsiatjen e librit: “ Profil “obelisk” i spikatur i mjekut me shkathtësi mendjeje dhe shkathtësi veprimi profesional”.
Prologoj këtë përsiatje për librin: “Një jetë kushtuar mjekësisë” monografi kushtuar mjekut të aviacionit, Dr. KAREMAN ABAS HASKO ( ALIAJ ), me thënien e mençur, përfytyrimi parabolik tip Martin Luther King: “Nëse s’mund të fluturosh, vrapo; nëse, s’mund të vraposh, ec; nëse, nuk ecën,kacavjerru por si do që të jetë vazhdo të ecës përpara…”.
Kjo thënie i përshtatet më së miri rrugëtimit jetësor dhe profesional të doktor Kareman Abas Hasko – Aliaj.
Portretizimi gjithëkahësh i individëve triumfatorë në veprimtarinë e tyre kontributive në veçanti është objekt shumator i “modës” shkrimore, i preferuar në kohën e sotme, por, pa lënë pas edhe pemët gjenealogjike, të cilat sjellin historitë e familjeve, të fiseve dhe rritin përmasën e shkrimit të historisë nëpërmjet kujtimeve; freskojnë dhe japin po kontribut në përsjelljen e jetës dhe transmetimin e saj në brezat e ardhshëm…
Ky proces tregon emancipimin e një shoqërie të shëndetshme transmetuese, e cila është e interesuar për të transmetuar përvojën e saj në ardhmërinë.
Është, pra detyrë e kohës për të sjellë kohën e kaluar në kohërenë.
Të shkruash profilet e individëve apo të njerëzve, si Kareman Abas Hasko – Aliaj, kërkohet një studim rigoroz shumëplansh i individit për të cilin do të shkruash apo të grupim individëve shoqërues e bashkëpunëtorëve jetësorë. Kërkohet një “operacion” shkrimor, ku të grumbullohen të dhëna reale dhe një punë shumë e madhe ilustruese, e cila sjell, në mënyrë harmonike, gjithëparaqitjen e profilit të përzgjedhur… Bie në sy një “sulm” i bukur, por i natyrshëm në këtë kohë, ( i shfaqur, katërcipërisht, dhe në këtë libër të Astrit K. Aliaj), ku kryhen me rigorozitet kërkime, hulumtime, transmetime përvojash dhe ndjehet një detyrim, po i natyrshëm, për të shkruar jetën, përvojën e çmuar apo për të njohur në detaje paraardhësit, krenarinë e familjes përfaqësuese dhe të fisit.
*Pra, përdorimi shkrimor i këtij drejtimi publicistik ka dhënë efekte të rëndësishme historike, morale, psikologjike, pedagogjike, etike, por ka shtuar edhe karakterin emocional dhe interpretativ të proceseve dhe fenomeneve në kahje serioziteti dhe pozitiviteti, po kështu në rritjen edhe të potencës intelektuale. Kjo e reflektuar mirë në substratin e këtij libri, ku gjen zbatim krijues thënia e gjigandit William Shakespeare:
“Tregohu aq i fortë në veprime, sa je në mendime”.
*Vincent Van Gogh është shprehur me të drejtë : “ Sa më shumë e mendoj, aq më shumë e kuptoj që s’ka asgjë më artistike, se sa të duash të tjerët”dhe kjo manifestohet me të gjithë dëshirën dhe dëlirësinë në këtë tematikë të trajtuar.
Jo, pa qëllim, bëmë këtë paraqitje hyrëse, pasi kjo ndërlidhet me librin “Një jetë kushtuar mjekësisë” i autorit Astrit K. Aliaj, i cili, midis të tjerash, nga një pozicion tipik lidhës, duke qenë djali i doktorit të shquar, ka shfrytëzuar gjithë arsenalin dhe mundësitë për ta portretizuar, “penelatuar” me fakte konkrete, reale, si dhe me përditshmërinë e jetës, emocionet e saj, gëzimin, hidhëresën, pëlqesën, guximin, interesimin për dijen, profesionalizmin, shpërfaqjen e gjithë botës shpirtërore të tij, zbatimin e betimit “vargmal” të Hipokratit, bardhësinë e figurës, interesimin për shëndetin, rigorozitetin në ushtrimin profesional, palëkundëshmërinë në zbatimin e detyrës, përkushtimin “kryefjalë” edhe si kuadër ushtarak e tjerë. Por, nga ana tjetër, sigurohet lartësimi profilor, nëpërmjet kësaj paraqitjeje ndërlidhëse dhe shfaqje të gjinive letrare: herë thënësi autoriale, herë monologuese të kryepersonazhit, herë me ndërthurrje dialoguese edhe me përdorim skicimi të karakteristikave, tipareve, botës shpirtërore me predominancë të zemërgjërësisë dhe të bardhësisë; tregimit të karakterit të fortë, seriozitetit të ushtrimit të profesionit e tjera. Përdorimi i disa kujtimeve të njerëzve të kontaktit real dhe njohës të veprimtarisë edhe jetës së doktor Karemanit, e ka bërë substratin e librit edhe më të besueshëm dhe e ka sjellë afër madhështinë e tij të veprimit, sakrificës, urtësisë dhe të këshillimit, kthimit të figurës së tij në një pikë referenciale dhe një idol për të afërmit. Kjo është realizuar pa artifice e pa lëvdata, por me “treguesë” të spikatur e domethënës, nëpërmjet fakteve dhe veprimeve plot nerv.
Vështirësia e vështirësive, në libra të këtij karakteri, qëndron në faktin se, për të plotëformuar e realizuar idenë e profilizimit të përplotuar, kërkohet një arkitekturim dimensional dhe vendosja e figurës në këndvështrimin e njerëzve që kanë qenë pranë në jetën e përshkruar të kryepersonazhit, në këtë rast të doktor Karemanit, ndaj, rreth e qark tij, lëviz dhe impulsion një galeri e madhe personazhesh, të cilët, krahas kontributit që japin, “vizatohen” thellë apo lehtë , duke e gjallëruar idenë….
Duhet theksuar se, nuk ka si të mos bier në sy përkujdesja për të portretizuar atë në gjithë dimensionalitetin e veprimtarisë së tij dhe të hapësirës. Në këtë kontekst, duhet thënë se, paraqitja e fenomenit natyror, klimatik, traditës, dokeve, zakoneve të trevës (Kudhës – Sevaster), përvoja e traditës luftarake dhe intelektuale, shpalosen në këtë libër, duke treguar themelet e shtratëzimit dhe të rrjedhjes origjinore e duke paraqitur karakteristikat tipike. Pra, individi, vendlindja, mentaliteti, edukimi, rrugëtimi nëpërmjet traditës, këshillimi, mbajtja në aftësi kujdesive, ruajtja e “shëndetit” të karakterit dhe personalitetit të krijuar si dhe ecuria nëpërmjet lajtmotivit: “T’i ngjajmë të parit të familjes dhe fisit si dy pika uji, por duke i thelluar në proces progresiv virtytet dhe cilësitë… ”.
Doktor Karemani ngrihet i portretizuar në këtë mjedis, duke ndjekur hedhjen e hapave e duke përparuar në mënyrë intensive në vitet e tij.
Duhet evidentuar fakti që, qysh i vogël dhe, më pas, në rritjen e tij, ai u njoh me “mentalitetin” e të huajve (kujto këtu kurset dhe studimet në Jugosllavi dhe në Kiev BRSS). Këto, natyrisht, ndikuan në gjithërritjen e tij, si një njeri i “dalë” nga kjo hapësirë e ngurtë, duke shtuar njohjen nga empirikja në racionale…. Këto mjedise dhe hapësira të reja faktorizuan dhe rritjen gjithëkahëshe të tij në jetë, në profesion, në krijimin e marrëdhënieve me familjen, fisin, shoqërinë, kolegët, eprorët, e bënë atë të jetë i kujdesshëm në të gjithë hapat e hedhur.
Zbulesa shpaloset mirë e kryepersonazhit, sipas thënies së Isaac Newton: “Ajo që dimë është një pikë, ajo që nuk dimë është oqean”.
Ky libër është ndërtuar në disa “shtylla” bazike themeli objektive dhe thelbësore, i kapitullizuar.
Te pjesa e parë “Fëmijëria” del në pah përshkrimi emocional i autorit – bir për të arritur në skalitjen e profilit, një detyrë sa e vështirë, aq dhe e përgjegjëshme. Në këtë pjesë pasqyrohet vendlindja, pozicioni gjeografik, me vlerë paraqitja e qyteti Amantia, qytet i lashtë, vërtetues i faktit të lashtësisë së banorëve të këtyre trojeve dhe aspektet e zhvillimit kulturor, prejardhja e emrit të fshatit Sevaster, bazuar në të dhëna arkeologjike e shpjegime etimologjike; paraqitja e ardhjes në jetë dhe jeta zanafillore e Karemanit, ku jepet dhe një “ organogramë ” e pema gjenealogjike e familjes, fisit ; ceken tradita, zakone, doke si dhe përshkrime të përfaqësuesve të brezave të familjes, mjediseve banuese dhe lidhësive. Duhet theksuar si e mirë e paraqitshme se, autori i ka mëshuar fort bazimit të të dhënave bibliografike në fakte të marra në dokumente shumë serioze… Rëndësi i jepet arsimimit të atëhershëm dhe dëshirës së trevës për dije dhe arsimim, e tjera.
Kjo pjesë hap rrugë dhe krijon idenë për paraqitjen e rrugëtimit të ardhshëm dhe lexohet me vemëndje për njohuritë që serviren duke marrë përmasën e nevojshme për të realizuar tejnjohjen.
Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare është pjesa e dytë e këtij libri, ku në bazë të një lajtmotivi : “Dashuria për Atdheun, lind nga dashuria për familjen” përshkruhet fillimisht “kohë e zezimit”, sikundërse është “Pushtimi kulturor” nga Italia fashiste, që krijoi stanjacion në ecurinë dhe lotoi maninë për të robëruar një popull trimëror me diplomaci të marrë.
Jepet me tone aktiviteti patriotik në çetën e Sevasterit, gjithashtu dhe pjesëmarrja e “gabuar” në formacionet e Ballit, e justifikuar nga mituria, e cila i solli pasoja të shumta, sorollatje, mos pranim në partinë e vetme të asaj kohe, gjatë gjithë jetës, paçka se ishte ai që u larguar nga formacionet e Ballit Kombëtar dhe bëhet me dashje : Partizan i Brigadës së 23-të Sulmuese…
Me nota të thukta përshkruhet « Rruga drejt mjekësisë », « Kthimi në Atdhe dhe fillimi i karrierës ushtarake », « Martesa dhe karriera », « Fillimi i jetës bashkëshortore » e treguar kjo me nota pozitiviteti dhe me ndjesi shumë reale dhe të ndjeshme.
Në këtë libër vërehet “ gradient ” (treguesi) i sipërngjitjes profesionale që nga shkallina e parë: nga infermier partizan, ndihmës mjek në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, student në mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, mjek në tre aerodrome si dhe mjek në Shkollën e Aviacionit në Vlorë deri në daljen e natyrshme në pension, duke e përmbyllur me krakteristikën e trajtës figurative : “Ti linde në ditën e “Ujit të Bekuar”, u largove në ditën që nderojmë Dëshmorët e Atdheut”.
Përcjellja në banesën e fundit e motivuar për një figurë të tillë dimensionale, ku ka ç’të thuhet, ka ç’të përmendet, ka ç’të shkruhet, ka ç’të transmetohet në brezat e ardhshëm dhe ka çfarë të krenohet nga pasardhësit, duke thënë “triumfalisht : “Jam i biri, jam vajza, jam mbesa, jam nipi, jam i afërti i doktor Kareman Hasko Aliaj… ”.
*Rëndësi i është dhënë dhe profilit të Fatosit në pjesën domethënëse “ Një ëndërr e lënë në mes…”, ku përshkruhet një jetë, e cila jepet me pasazhe, të cilat janë shkruar me shumë ndjenjë dhe tregojnë sa i shëndetshëm ka qenë edukimi i fëmijëve nga Karemani dhe bashkëshortja e tij…
Fatosi, me këtë përshkrim të autorit, jeton në mendje, shpirt e ritmon në zemër të të afërmëve, të të dashurve dhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij, duke u ngjitur përherë në përjetësi të epërme…
Libri është zbukuruar nga pjesa : “Kujtime nga familja dhe shokët”, ku janë derdhur frazimet e bukura, të ndjera, entuziaste, përmalluese dhe “ kurora lulesh” për një jetë plot pasion, përkushtim, sakrifica, fitore, por edhe dhimbje, një jetë “ pasurore ” trasmetuese në brezat e familjes dhe fisit Hasko – Aliaj.
Ilustrimet me fotografi dhe dokumente faximile plotojnë përsosmërisht profilin.
E gjetur autoriale është dhe pjesa e librit, ku shkruhet për traditën popullore. Ky është një kontribut, një mesazh i fortë, apo një leksion, se është detyrim i çdo autori të përcjellë në ardhmëri këtë traditë që frymëmarrja e saj të jetë ritmike dh e pandalur…
Si përfundesë:
*Nga kjo trajtesë mund të bëhet një aludim i bukur për doktor Karemanin, duke u nisur nga thënia e mençur: “Parandalimi i sëmundjes është më i mirë se terapia”.
Duhet përgëzuar autori për këtë sipërmarrje, e cila nuk ka vlerë vetëm për familjen apo fisin, por edhe për gjithë shoqërinë.
*Trajtesa e kryepersonazhit me një stil vetjak, paçka të thjeshtë e të kuptueshëm në narrativë, hera-herës ka nuanca figurative, trajtime të mprehta, lirshmëri shprehish. Galeria e personazheve vitalë që kanë lidhësi me kryepersonazhin, e shndërron këtë libër në një “roman” real, i cili lexohet natyrshëm dhe të lë mbresë të pashlyeshme.
*Jepet një kontribut në evidentimin e vlerave të individëve të përkushtuar dhe profesionalë, duke u patur si pikë referimi nga pasardhësit, sidomos në drejtim të ruajtjes së shëndetit. Ishte i këtij stadi, ndaj doktori e konsideronte shëndetin njerëzor kaq të rëndësishëm, pasi çdo lloj problemi, sado i vogël, ndikon në mendjen dhe kualitetin e jetës. Ai bazohej te thënia kineze :
“Shëndeti është njësh, të cilit mund t’i shtosh shumë zero, por që, pa të gjitha mbetet zero” apo te thënia e Menandrit: “ Shëndeti dhe mendja janë dy të mira të mrekullueshme në jetë. Çdo njeri i shëndoshë shumë kollaj i jep këshilla atij që është i sëmurë”.
*Krahas ndividualitetit të shprehur për kryepersonazhin, të rëndësishme janë pasqyrimi pikant i natyrës, i mjedisit familjar, kulturor, i gjenealogjisë së familjes, i fisit si dhe i ndërlidhësisë, i shpalosjes së cilësive, karakteristikave dhe temperamentit traditës së trevës.
*Në libër bie në sy dhe mendimi ndryshe si dhe reflektimi i procesit “ ngritje – ulje ”, shpjegimi i “ kurbës ” kohore, përballja me të dhe triumfimi i shëndetshëm nëpërmjet arsimimit, mirësjelljes, normave, ligjeve dhe përkushtimit…
*Përdorimi i faktit, ndodhisë reale si dhe i ilustrimit tipik duhet përgëzuar, pasi në kompleks krijohet një “obelisk ” nderimi për mjekun Kareman Abas Hasko- Aliaj.
Ky është një pozitivitet i shprehur…
Libri është një sprovë edhe për vetë autorin, ku krahas modestisë, duhet të jetë i krenaruar, pasi kreu një “akt” të bukur shkrimor.
E përmbyll këtë përsiatje me frazëmençurën : “Çdo njeri inteligjent, qoftë artist ose jo matematikan, doktor, shkencëtar zotëron një mënyrë poetike të vrojtimit dhe të përshkrimit të botës”. (Yehuda Amichai)…
A nuk ishte dhe doktor Karemani një artist në profesionin e vet?!