Dënohet përfundimisht me burgim të përjetshëm, Ratko Mlladiç, i ashtuquajturi Kasapi i Bosnjës. Ish-komandanti serbo-boshnjak ka dalë sot para Gjykatës së Hagës, duke u përballur me akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 26 vjet pas masakrës së Srebenicës, 78-vjeçari Mladić ka dalë sot para togave të zeza, duke u njohur me vendimin e tyre.
Për shkak të masave të marra ndaj pandemisë së koronavirusit, nga 5 gjykatës kishin në “duar” çështjen e tij, vetëm një ka qenë prezent në sallë, ndërsa të tjerët kanë ndjekur gjithçka online. Të gjithë kanë vendosur që të lënë në fuqi vendimin e dhënë në vitin 2017, gjithashtu për burg përjetë.
Vetë Mladić është shfaqur i qetë para togave të zeza, madje në disa momente i ka buzëqeshur dhe kamerave që kishin në sallë për ta filmuar. Ndërkohë që nënat e disa prej 8,000 burrave dhe djemve që u vranë prej tij, ishin mbledhur jashtë Gjykatës në shenjë proteste duke pritur me ankth dënimin.
Djali i Ratko Mlladiç ka reaguar për vendimin që iu dha babait të tij nga gjykata e Hagës. Darko Mladiç është shprehur për mediat se e rëndësishme për të është që babi i tij të jetë mirë e të takohen vazhdimisht. Ai e ka qujtur çështjen që u zhvillua sot një cirk pasi gjyqtarët nuk u morën shumë me çështjen dhe e vetmja pikë e ndritshme në gjyq për të është mendimi original i gjyqtarit Naymba.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Hagë konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mlladiç, duke e quajtur këtë vendim historik. Në një deklaratë me shkrim, Biden tha se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Josep Borrell dhe komisioneri për Fqinjësinë, Olivér Várhelyi kanë reaguar mbi vendimin që u mor nga Gjykata e Apelit të Hagës ndaj kriminelit serb , Ratko Mlladiç. Në një deklaratë për shtyp, ata janë shprehur se vendimi i jep fund një gjykimi kyç në historinë e fundit të Evropës për krime lufte, përfshirë gjenocidin që ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas tyre, ky mision do të vazhdojë për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit dhe familjarëve të tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka reaguar me anë të një postimi në Twitter për dënimin e Ratko Mlladiç me burgim të përjetshëm. Ai ka thënë se dënimi i Mlladiç sjell paqe për viktimat e gjenocidit dhe të dashurit e tyre dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të flasin gjithmonë për drejtësi dhe përgjegjësi.
Detaji që ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e ‘Kasapit të Bosnjës’ ka qënë unaza që ai mbante në gisht. Ajo ka qenë objekti i vetëm, që ka ndihmuar informatorin e policisë të identifikonte Ratko Mlladiçin.
Por kush është “Kasapi”?
Ai lindi në vitin 1943 në fshatin Božanovići afër Kalinovik, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai u diplomua nga akademia ushtarake në Beograd dhe shërbeu në Maqedoni dhe Prishtinë. Ai mori komandën në Knin në 1991, një vit më vonë në Sarajevë. Ai ishte gjithashtu komandant i Ushtrisë së Republika Srpska nga 1992 në 1996. Mlladiç mbahet përgjegjës për udhëheqjen e një fushate të pamëshirshme të spastrimit etnik që kishte për qëllim vrasjen ose ndjekjen e joserbëve nga territory boshnjak gjatë luftës 1992-95. Më shumë se 100 mijë njerëz vdiqën në këtë konflikt. Në korrik të vitit 1995, trupat e Mlladiçit pushtuan qytetin e Srebrenicës, që ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara. Fillimisht, ushtarët e Mlladiçit shpërndan çokollata dhe u përpoqën të qetësonin turmat e refugjatëve boshnjakë, më pas ushtruan terrorr.
Pas luftës, Mlladiç u strehua nga serbët, që e konsideronin atë si një hero. Ai u arrestua nga forcat special të policisë serbe më 2011 në fshatin Llazarevo në veri të Serbisë. Pas presionit të madh ndërkombëtar, Serbia ekstradoi Mlladiçin në Hagë për t’u përballur me drejtësinë. Herën e parë që ai doli në Gjykatë, Mlladiq nuk shfaqi pendesë, madje kërcënoi nënën e një viktime të Srebrenicës që ishte në sallë, duke i bërë gjestin e prerjes së fytit
“Unë nuk kam marr pjesë në asnjë krim. Unë vetëm kam mbrojtur njerëzit e mi,”-thoshte ai. Ndërsa para se të shkonte në paraburgim, shprehur 4 dëshira: të hante luleshtrudhe; një televizor në qeli; një libër të Tolstoy-t dhe të vizitonte varrin e të bijës.