Akuzat ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën bazuar mbi një hetim që filloi pasi ai thuhet se refuzoi përpjekjet e përsëritura të Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet që ai kishte nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë dhe që i mbante në Mar-a-Lago.
Dokumenti federal radhit 31 akuza ndaj ish-Presidentit Trump për “mbajtje të qëllimshme” të informacionit të klasifikuar të sigurisë kombëtare, për secilin nga dokumentet që mori nga Shtëpia e Bardhë.
21 prej këtyre dokumenteve gjendeshin ndër mbi 100 dokumentet që FBI-ja i zbuloi gjatë kontrollit në Mar-a-Lago në gushtin e kaluar.
Akuza thotë se dokumentet përmbanin informacion të klasifikuar për programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara, për pikat e dobëta të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve aleate në rast të një sulmi, si dhe planet për përgjigjen e mundshme ndaj sulmit. Akuza thotë se ekspozimi i këtyre dokumenteve mund të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë akuzat e tjera – ku përfshihet pengimi i drejtësisë, konspiracion për të penguar drejtësinë dhe deklarimet e rreme – kanë të bëjnë me përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin dhe për të fshehur mbajtjen prej tij të dokumenteve të klasifikuara.
Zoti Trump pretendon se ka patur një urdhër për të çklasifikuar të gjitha dokumentet e zhvendosura nga Zyra Ovale për në rezidencën e tij brenda Shtëpisë së Bardhë.
Por, akuza thotë se ish-Presidenti Trump ishte i ndërgjegjshëm për ligjet në fuqi për informacionin e klasifikuar të sigurisë kombëtare dhe se i shkeli ato me dashje.
Në një rast në korrik 2021, zoti Trump akuzohet se ua tregoi një dokument për një “plan sulmi” një grupi prej katër personash, që nuk ishin të autorizuar të njiheshin me informacione të klasifikuara – një shkrimtari, një botuesi dhe dy punonjësve – në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi, duke u thënë atyre se dokumenti ishte “shumë i klasifikuar” dhe “sekret” dhe se ai nuk mundej më ta çklasifikonte atë.