Arrestohen “cironkat” e vogla në Shëndetësi/ Oligarkët flenë me jastëkët e mbushur me paratë tona
4 administratorë të disa farmacive të vogla në kryeqytet sëbashku me 2 persona të tjerë të punësuar, janë vënë në pranga pasi dyshohet se kanë shitur ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së Covid-19. Ajo që vihet re në njoftimin e policisë është që emrat e këtyre personave janë bërë publikë, ndërsa në çështje me sensitivitet të lartë gjithnjë bëhen publikë vetëm inicialet. Në tentativë e sipër për ta bërë të duket një operacion i bujshëm, në fakt në këtë “aksion” janë arrestuar “cironkat” e vogla në vend të peshqve të mëdhenj.
Oligarkët e Shëndetësisë vazhdojnë të flenë me jastëkët e mbushur me paratë tona, të dhëna nga titullarët e institucioneve të shëndetësisë, ndërsa në pranga vihen rrogëtarët e thjeshtë në gjithë këtë skemë të frikshme oligarkë-qeveri. Në listë vihet re se ka rënë në pranga edhe Florian Marku, administrator i FLORIFARMA një prej kompanive që ka marrë së fundmi një tender me objekt: Loti 5 Nadroparine sodium, me vlerë 18 MLN Lekë nga QSUT e Enkel Jotit. Diferenca e Ofertës Ekonomike të fituar me Fondin Limit në këtë tender, është vetëm 3 mijë e 300 Lekë të vjetra. Tenderin e ka përfituar si operator i vetëm në garë dhe për pasojë është shënuar me REDFLAG për Mungesë konkurrence.
FLORIFARMA e Markut rezulton se ka fituar një total prej 13 tenderash në sektorin e Shëndetësisë, 3 prej tyre me REDFLAGS, në total me vlerë 503 MLN Lekë pa TVSH, pra më shumë se gjysmë miliardi Lekë, ndërsa zotërues të kompanisë janë familjarë të tij, Lazer dhe Frangë Marku me 50% të aksioneve secili.
Ndërkohë në anën tjetër ka rënë në pranga edhe Florian Lili, administrator i një farmacie dhe kryetari i PD për Njësinë 11. Ky i fundit është parë në fushatën e zgjedhjeve të 25 Prillit krah deputetes së PD, Albana Vokshit.
LISTA
- Florian Marku, 39 vjeç, administrator i FLORIFARMA, nj
- Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i ELBAFARMA KREM
3.Florian Lili, 40 vjeç, administrator i një farmacie, kryetari i PD në Tiranë për njësinë 11
- Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie
- Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh
- Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë
Administratorët e farmacive, gjatë periudhës së Covid-19, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin ilaçe kontrabandë. Ata akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.