TIRANË, 3 janar/ATSH-Maela Marini/ Projekti madhor i rikonceptimit të qendrës së qytetit të Fierit solli një transformim tërësor urbanistik të qytetit i pa ndodhur në dekada, ndërkohë që bashkia e Fierit ka nisur fazën e dytë për rehabilitimin e lumit Gjanica, projekt që do të plotësojë mozaikun e ndryshimeve në Fier.
Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi sjell në vëmendje disa nga investimet kryesore gjatë vitit 2020 në këtë bashki, të cilat nuk janë ndalur edhe pse në kushtet e pandemisë nag COVID-19.
Duke folur për impaktin që do të sjellë për qytetin faza e dytë të rehabilitimit të lumit Gjanica, Subashi shprehet se “qëllimi kryesor i këtij projekti është ripërtëritja urbane e zonës dhe qëndrueshmëria e zhvillimit mjedisor, ekonomik, kulturor dhe më e rëndësishmja, rikthimi i lumit Gjanica në karakterin e tij natyror, të prekshëm për banorët e qytetit të Fierit”.
“Ky projekt do të sjellë lirimin e hapësirave publike dhe aksesimin e drejtpërdrejtë me lumin, krijimin e shëtitores përgjatë gjithë gjatësisë së lumit dhe konceptimin e disa mini shesheve përgjatë lumit. Po ashtu parashikohet krijimi i disa elementeve arkitektonik siç janë ballkonet panoramike, shkallare, shtimi i elementeve të dizajnit urban me stola dhe ndriçues etj; sistemimi i gjelbërimit në zonë dhe konceptimi i parqeve përgjatë lumit”, tha Subashi për ATSH.
Ai theksoi se “e gjithë gjatësia e lumit është trajtuar si një shëtitore e vazhduar në dy nivele të saj”.
“Në zona të caktuara janë konceptuar disa sheshe si një hapësirë rekreacioni që nuk ka akses nga automjetet. Sheshet janë pozicionuar në disa pika kyçe përgjatë gjithë gjatësisë dhe janë konceptuar si pika qendrore të projektit duke i pasuruar edhe me elemente të tjerë arkitektonike si: shkallare dhe ballkone panoramike për përjetësimin e hapësirës në disa nivele. Shkallaret janë menduar si pika grumbullimi dhe pushimi, me gjelbërim të shtuar dhe elemente të dizajnit urban. Kjo hapësirë do jetë në shërbim të qytetit për aktivitete të ndryshme si dhe mund të shërbejë për instalacione urbane, duke e kthyer sheshin në një hapësirë rekreative”, tha ai për ATSH.
Një tjetër fazë e rëndësishme që përfundoi këtë vit, si pjesë e qendrës së qytetit, sipas Subashit është parkimi nëntokësor dhe orientimi i trafikimit me semafor.
“Parkimi nëntokësor është një risi për projektimin e Fierit modern dhe një vision avangard i të ardhmes. Rikonceptimi i qendrës së qytetit dhe mirëfunksionimi i saj ka qenë përherë një sfidë për t’u fituar dhe për ta kthyer atë në një vlerë të shtuar për qytetin. Ridimensionimi i qendrës dhe rehabilitimi i lumit Gjanica do të krijojnë një peizazh të përmirësuar infrastrukturor e estetik, i cili do t’i japë një dimension të ri zhvillimi qytetit. Sheshi qendror, i projektuar si një hapësirë pedonale e rekreative do të shërbeje për organizimin e aktiviteteve të ndryshme social kulturore, duke rigjallëruar jetën e qytetit. Një element i ri urban që do i shtohet kësaj hapësire është ura e re pedonale e cila do të pajiset me stola dhe gjelbërim dhe do të shkrihet me sheshin qendror duke krijuar një lidhje të natyrshme midis Pallatit të Sportit dhe qendrës së qytetit”, tha ai.
Të gjitha këto zhvillime, sipas Subashit, “do të nxisin fluksin e shtuar në këtë pjesë të rëndësishme të qytetit, duke lindur nevojën e sa më shumë hapësirave për automjete të parkuara”.
Ai tha se ‘parkimi i nëndheshëm garanton zgjidhjen e kësaj nevoje në të ardhmen, duke mos cënuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe ngarkuar trafikun në qendër të qytetit”.
Nga shkollat te rrugët/ Investimet kryesore gjatë 2020 që përmirësuan jetën e banorëve
Edhe pse një vit i vështirë nga pandemia, Subashi theksoi se “bashkia Fier ka vijuar investimet”.
“Pavarësisht situatës pandemike e cila ishte një angazhim më vete për të gjithë ne me mbështetjen e familjeve në nevojë dhe ato më të riskuara, me krijimin e infrastrukturës lehtësuese në qytet dhe banesat e personave të prekur, institucionet arsimore e parashkollore, qendrat shëndetësore etj…., puna në shërbime dhe investime nuk është ndërprerë. Kemi zhvilluar një sërë projektesh infrastrukturore në rrugë, sistemin arsimor, shëndetësor, në bujqësi etj”, tha ai.
Një prej investimeve infrastrukturore të rëndësishme përveç fazës së dytë të lumit Gjanica, sipas Subashit “është dhe rikonstruksioni i rrugës “Jakov Milaj”.
“Zbatimi i këtij projekti do të sjellë qytet më atraktiv për qytetarët dhe turizmin, shtim të zonës së gjelbër dhe lirimin e hapësirave publike. Koncepti i ndërhyrjes lidhet ngushtë me rrugën dhe tenton të japë alternativë për të përfituar më tepër hapësirë. Rikonceptimi bëhet me qëllim kthimin e kësaj zone në një zonë me karakter social-kulturor, përmirësimit të dimensioneve të rrugës, të strukturës dhe të infrastrukturës, në përputhje me standardet bashkëkohore”, tha ai.
Një tjetër investim, sipas Subashit, “ishte dhe shkolla e Darëzezës, në njësinë administrative Dërmënas, Fier”.
“Shkolla 9-vjeçare “Darzezë e Re” ishte ndërtuar në vitin 1986. Ajo ishte në gjendje shumë të amortizuar dhe nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 pësoi dëmtime të parikuperueshme duke u kthyer në rrezik për 160 nxënësit dhe 50 fëmijët parashkollorë që e frekuentojnë atë. Sot ky investim përmbush objektivin për përmirësimin e kushteve mjedisore brenda dhe jashtë objektit, krijimin e ambienteve të rehatshme dhe të shëndetshme, të sigurta konstruktivisht, krijimin e ambienteve rekreative dhe shlodhëse. Një ambient do të shërbejë si kabinet informatike dhe bibliotekë. Të gjitha këto në përputhje me standardet kombëtare”, tha Subashi.
Po ashtu, Subashi veçoi investimin në shkollën e mesme “Jovan Ndreko” në Libofshë, me një kapacitet rreth 300 nxënës që vijnë nga zonat, Libofshë, Agim, Metaj, Ndërnënas, Rreth Libofshë e Petovë.
“Që nga koha e ndërtimit të saj, investimet për mirëmbajtje kane qenë të pakta dhe gjendja e shkollës ishte jashtë standardit për një funksionim normal të mësimdhënies. Sot, rikonstruksioni i plotë i saj ka sjellë përmirësimin e kushteve mjedisore brenda dhe jashtë ambienteve të shkollës, për garantimin e një procesi normal të mësimdhënies, krijimin e mjediseve të shëndetshme, të sigurta, rekreative, shlodhëse dhe edukative në përputhje me standardet kombëtare”, tha ai.
E njëjta situatë, sipas Subashit, “vlen dhe për shkollën 9-vjeçare “Pinellopi Pirro”, në Fier, ku ndërhyrjet e thella u realizuan si në ambientet e brendshme të godinës, ashtu dhe në oborrin e saj, duke arritur sot një shkollë me standard dhe me kushte optimale”.
“Një projekt shumë i rëndësishëm për infrastrukturën e qytetit është gjithashtu dhe rikonstruksioni i rrugës “Andon Profka”, i cili përveç rehabilitimit të plotë të rrugës, ka për qëllim dhe ripërtëritjen urbane të zones, duke synuar qëndrueshmërinë e zhvillimit mjedisor, ekonomik, kulturor. Projekti synon, unifikimin e fasadave në katet përdhe, duke i dhënë përparësi zonës së biznesit; rikthimin e elementëve karakteristike historike kulturore të qytetit; shtimin e zonës së gjelbër; lirimin e hapësirave publike; shtimin e korsive të biçikletave; ndriçimin; gjelbërimin; sinjalistikën etj”, tha Subashi për ATSH.
Koncepti i ndërhyrjes, sipas tij, “tenton të japë alternativë për të përfituar më tepër hapësirë”. “Rikonceptimi bëhet me qëllim kthimin e kësaj zone në një zonë me karakter social-kulturor, përmirësimit të dimensioneve të rrugës, të strukturës dhe të infrastrukturës, në përputhje me standardet bashkëkohore”, tha ai.
Po ashtu, Subashi theksoi se “kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar një sërë palestra shkollash dhe terrenesh sportive në qytet e në zonat rurale si në Cakran, Libofshë, Dërmënas, Fier etj”.
“Jemi duke përfunduar ndërtimin e kompleksit sportiv në qytet që do të krijojë hapësira të reja stërvitore dhe argëtimi për të gjithë. Ndërkohë jemi duke punuar për projektin teknik të pallatit të sportit që do të jetë një tjetër synim i së ardhmes”, tha ai.
Një tjetër investim i rëndësishëm për artin dhe artdashësin jo vetëm fierakë, sipas Subashit, është rikonstruksioni i plotë i teatrit “Bylis” duke filluar që nga skena, dhomat e aktorëve, holli, e gjithë infrastruktura e brendshme, akomodimi e duke vazhduar me fasadën tërësisht të rehabilituar dhe të rikonceptuar së bashku me lulishten përreth dhe ambientin e jashtëm”.
2021, viti i turizmit dhe vazhdimit të investimeve
Ndërkohë, Subashi theksoi se “në vitin 2021 do të zhvillojmë të gjitha projektet e nisura këtë vit”.
“Këto projekte që rendita janë projekte të mëdha dhe me ndikim të fortë në infrastrukturën e qytetit dhe cilësinë e jetës. Do të vijojmë të zhvillojmë projekte të reja në infrastrukturë në bazë të shtyllave prioritare të përcaktuara që më parë që janë: arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi, sporti, pa lënë mënjanë rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, tha ai.
I pyetur nëse ka bashkia e Fierit një strategji konkrete për zhvillimin e turizmit, Subashi theksoi se “bashkia e Fierit, me ndarjen e re territoriale përfshin sot një vijë bregdetare prej 27 km, të pashfrytëzuar dhe që për fat të mirë i ka shpëtuar çmendurisë së masakrës bregdetare me ndërtime gjatë 20-vjeçarit të fundit”.
“Që të mos bëjmë gabimet që i kemi ndeshur rëndom gjatë këtyre viteve në bregdetet e tjera të vendit jemi duke punuar fortë me qeverinë për të nisur procedurat për hartimin e një master plani për të gjithë këtë vijë bregdetare, duke ndërthurur të gjithë komponentët që do e bënin shfrytëzimin e bregdetit me standardin që ne e shohim masivisht në vendet europiane”, tha ai për ATSH-në.1 nga 9
















