🇦🇱15 tetor 1944-Dita e çlirimit të Fierit!
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Fieri, përjetoi pushtimet e dy fuqive ushtarake të Boshtit Fashist. Të tilla ishin pushtimi ushtarak italian (8 prill 1939-8 shtator 1943) dhe pushtimi ushtarak gjerman (10 shtator 1943-15 tetor 1944). Gjatë një periudhë që zgjati 5 vjet e 6 muaj, qyteti dhe rrethinat përjetuan zhvillimet e luftës me të gjitha tiparet e saj. Fieri u çlirua 15 tetor 1944 nga formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigada XVI dhe Grupi III Fier-Mallakastër. Gjatë tërheqjes së tyre, të goditur nga këto formacione partizane, pushtuesit gjermanë hodhën në erë centralin elektrik, urat mbi lumin Gjanica, urën e Mbrostarit mbi lumin Seman, si dhe dogjën zonën tregtare të qytetit. Nga kjo masakër urbane, shpëtoi vetëm fabrika e miellit e shoqërisë “Myzeqeja”, që sot është Galeria e Arteve “Vilson Kilica”.
Në këtë gjendje e gjeti Fierin çlirimi nga pushtimi nazi-fashist. Gjatë kësaj lufte, populli i Fierit, kontribuoi në rezistencën antifashiste duke i dhënë formacioneve partizane të UNÇSH 1900 luftëtarë, 447 prej të cilëve ranë dëshmorë.🇦🇱
Gëzuar Festën e Çlirimit të Fierit!
🇦🇱Lavdi të rënëve për Liri! 🇦🇱