Ardi Veliu ra në fushë të “betejës”, e mori “ambulanca” e SPAK-ut
Asnjë çudi s’ka, do të prangoset. Tenderi i uniformave të policisë është korrupsion i madh. Ardi Veliu ka qënë përherë nën akuza të rënda, për lidhje me mafian, deri me Ndrangheta’n. Ish kryepolici ka shumë “gjynahe”!
Shkruan:Sokol Pepushaj
Ardi Veliu, megjithëse “lojtar” i mirë i skuadrës së Hajdutëve, kishte kohë që fërshëllehej nga publiku: Nxirreni jashtë, nxirreni jashtë!
Reflektonte haptas injorancë, arrogancë, lojë të pistë kriminale me drogën, trafiqet dhe vrasjet mafioze, sa ja kishte sjellë në ‘majë të hundës’ gjithkujt.
Edhe integrimi i Shqipërisë pengohej nga një kryepolic fudull që ecte kryelartë nga skandali në skandal.
Zëmërimi po rritej.
Filluan njerëzia t’i fërshëllejnë” Edi Ramës, zhduku me gjithë atë budalla.
Ndërkombëtarët, që mbajnë ndeshjet, edhe kur vidhen votat, edhe kur avionët e drogës kanë nevojë të fshehin gjënë brenda, ja ngulën “Peshkut” “pirunin”.
Po ku ja ngulën?
Nga koka, duhej ndërruar “trajneri”, nga bishti, thjeshtë një “lojtar” kryepolici.
Kështu u bë! I rekomanduan “Bablokut” një zëvendësim, që në pamje të parë, premton për “lojë” pa hile në skuadrën e Rilindjes.
“Peshku” u kap nga bishti.
Ardi Veliu ra! U “rrëzua” në fushë. Në mes të “lojës”, se sapo ka filluar aksioni i vjeljes së hashashit.
Ndihem keq tha, nuk mund ta vazhdoj “lojën”.
Ndihma e parë që u fut në “fushë”, ishte Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Ai, duke e ditur të vërtetën e largimit të tij, tha publikisht se,” do e merrni vesh në kohën e duhur, kur ti mbarojë kandili!”
Babloku fërkoi ballin dhe thirri Çuçin.
-Kalama mbete, Ardin e shkarkova nga halli, njëlloj si Ilir Metën. E kemi punën keq me amerikanët. Duhet të aktrojmë. Na urdhëruan ta nxjerroim jashtë loje.
-Më fal shef, s’të kuptova mirë.
Çuçi, normalisht nga fudullëku, ngarkoi mbi kurriz të vet barrë të rëndë, por i lehtësoi ngarkesën emocionale SPAK-ut, për të arrestuar ish Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në fakt, “ambulanca” e SPAK-ut , si fillim po shtiret sikur po e “mjekon”, por nuk është kjo e vërteta.
Njerëzia tashmë u pajis me leje për të shpërthyer urrejtje të një niveli tjetër, jo nxirreni nga loja, por futeni në burg qenin!
Rrjetet sociale shpërthyen kundër ish kryepolicit.
Ata që mbronin një kapele polici 350 euro, tashmë, në rrjetet sociale bëjnë thirrje në kor për arrestimin e tij.
Ardi Veliu ka dhunuar shqiptarët, ka vrarë të pafajshmin, ka vjedhur votat me bandat, ka fyer publikisht nënat shqiptare, pasi u ka dhunuar fëmijët…
Asnjë çudi s’ka, do të prangoset.
Tenderi i uniformave të policisë është korrupsion i madh. Ardi Veliu ka qënë përherë nën akuza të rënda, për lidhje me mafian, deri me Ndrangheta’n.
Ish kryepolici ka shumë “gjynahe”.
Nisin nga vitet 2002-2003 kur shërbente në Vlorë. Aso kohe është akuzuar për lidhje me trafikun klandestin dhe falsifikimin e vizave
Askush s’po thotë të kundërtën. As se ishte frikacak. Madje, Rama nuk e largoi as për analfabet. 109 gabime ortografike në një faqe format me fjalor të thjeshtë, s’mund ta ndëshkonin kurrsesi kryepolicin.
Për demonstrime të tilla mund të jesh kryetar partie, biznesmen afër qeverisë, kryebashkiak, deputet, ministër.
Të kundërtën e të vërtetës bëjnë të gjithë, si ministri Çuçi.
Bledi Çuçi, pasi mësoi nga Babloku se e nxorri nga loja i detyruar, ja “ndez” sërish “kandilin”. Tha se Ardi Veliu është shembulli i policit dhe e presin beteja të tjera.
Po fjala e ministrit s’përbën precedent më.
Shqiptarët e kanë kuptuar se, pasi Ardi Veliu ra në fushë të “lojës”, e mori “ambulanca” e SPAK-ut.