Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO për sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi.
Avokati Alban Qafa e cilësoi vendimin të pambështetur në prova dhe theksoi se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë
Më datë 3 gusht të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të vënë nën sekuestro 26 subjekte në pronësi të biznesmenit Ylli Ndroqi.
SPAK regjistroi procedim pasuror për Ylli Ndroqin si i dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike dhe organizatë kriminale, si dhe vlerësoi se ekziston rreziku i transferimit të pasurisë te të tretët.
Nga ana tjetër, 3 ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale dhe njoftimit të SPAK për sekuestrimin e pasurive të biznesmenit, avokati i Ndroqit doli para mediave për të deklaruar se vendimi është i nxituar duke firmosur një urdhër, që sipas tij ka parregullsi ligjore dhe procedurale.
Mbrojtësi ligjor i Ylli Ndroqit, z. Alban Qafa listoi disa prej arsyeve, që janë pjesë e ankimimit që po përgatit për ta dorëzuar në Gjykatën e Apelit.
“Nga ana e SPAK më 21 korrik 2020 u regjistrua procedimi penal dhe 7 ditë më pas, më 28 korrik u regjistrua kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros. Dokumenti është marrë në shqyrtim në maj, ndërkohë që kërkesa e organit të akuzës është depozituar në korrik. Kjo tregon nxitimin si të prokurorisë dhe të gjykatës për këtë vendim. Në deklaratën e policisë thuhet se janë kryer hetime mbi 17 muaj pa ju referuar prokurorit. Këto hetime pa dijeninë e prokurorit janë hetime të paligjshme nga policia. Kjo ngre dyshime për keqpërdorimin e policisë nga qeveria”, tha z. Qafa./Euronews/