📚 Në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor 2022-2023, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, së bashku me Oficeren Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj zhvilluan një takim të përbashkët virtual me mësuesit e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi, gjatë të cilit morën pjesë tridhjetë mësues të gjuhës shqipe nga Athina, Salamina, Patra, Iraklio, Rethimno, Hania, etj.
👉 Në fjalën e saj, Ambasadorja Hajdaraga shprehu mirënjohje për punën e përkushtuar dhe sakrificën e vullnetshme të mësuesve në misionin e mësimdhënies dhe vuri theksin tek roli i shumëanshëm që ata luajnë, si përçues të dijes dhe vlerave më të mira humane prej vitesh e brezash në Greqi. Puna e arsimtarit nuk mbaron kurrë, me shembullin e tij brenda dhe jashtë shkollës ai vazhdon të jetë modeli i nxënësve të tij, një referencë e jetës për të gjithë ata të cilëve u dha njohuritë e tij. Mësuesi nuk u mëson këtyre fëmijëve vetëm shkronja dhe fjalë, por nëpërmjet metodave pedagogjike, këmbënguljes, durimit, si dhe falë dashurisë për punën, u mëson atyre dashurinë për gjuhën, atdheun, traditat, u nxit dëshirën për të qënë qytetarë të denjë në një shoqëri demokratike, por dhe vlerat e rëndësishme në jetë, kryesisht ajo e së qënit human.
📌 Ndër çështjet që u biseduan ishin:
➡️ Intensifikimi i bashkëpunimit mes Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Greqisë mbi zgjidhjen e çështjeve dypalëshe;
➡️ Çështja e njësimit të diplomave shqiptare dhe anasjelltas;
➡️ Integrimi i mësimit të gjuhës shqipe në kurikulën e sistemit arsimor grek nëpërmjet një programi pilot;
➡️ Teksti i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës: ”Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I, që do t’i ofrohet kurseve për vitin shkollor 2022-2023;
➡️ Kërkesat për asistencë të Ambasadës kundrejt lehtësimit të procedurës të lëshimit të ambienteve;
➡️ Vendosja e një rubrike të re informuese nga Ambasada lidhur me mësimin e gjuhës shqipe në Greqi.
🙌 Fëmijët janë e ardhmja jonë. Le të punojmë fortë, së bashku, për një të ardhme edhe më të mirë për ta! Pasuria e vërtetë e një shoqërie është në mënyrën se si ajo edukon anëtarët e saj.