ALMA JAKU – TREGIMTARE DHE POETE E SPIKATUR
Zekerija Idrizi: nga dorëshkrimi “Portrete shkrimtarësh”
Jaku Alma u lind në vitin 1980, në Lezhën e At Gjergj Fishtës, të Mjedës e të Frang Bardhit. Shtëpia e prindërve, ku kaloi fëmijërinë, ishte veç disa dhjetra metra larg nga shtëpia ku lindi poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta. Gjyshja e saj i ka treguar më shumë se një herë njohjen e saj me poetin kombëtar të shqiptarëve. Këto fakte do lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesen e Alma Jakut, dhe do jenë inkurajimi i parë për të shkruar poezi.
Është diplomuar për Histori- Gjeografi dhe më vonë dhe në Inxhinjeri Ushqimi. Jeton në Lezhë, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Jeta familjare nuk e ka penguar të shkruaj intensivisht poezi apo te marrë pjesë aktive në jetën shoqërore dhe artistike të vendit.
Ka botuar dy libra poetikë, ‘’Rropamë ndjenjash,, dhe ‘’Globi mbi gishtërinj’’, libra të cilat janë pritur me vlerësime të larta nga poetët dhe shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë. Poeti Laureat i Shqipërisë, Rudolf Marku, ka shkruar se ‘’poezitë e Alma Jakut të befasojnë me lirizmin e tyre spontan dhe të sinqertë, me natyrshmërinë dhe çlirshmërinë metrike, me sinqeritetin dhe guximin femëror- një dëshmi se poezia femërore gjithnjë do të ec në shtegun e lashtë të poezisë së Safos,, Ndërsa poeti Bardhyl London, që në botimin e poezive të para të Alma Jakut në shtypin letrar të Tiranës, pat shkruar me entuziazëm se “Alma Jaku është një zbulim i një ishulli të ri poetik”. Preç Zogaj ka komentuar poezinë e Alma Jakut në parathënjen e Librit të saj të parë, duke i paralajmëruar lexuesit dhe kritikët për ardhjen e një zëri të veçantë e të fuqishëm në poezinë tonë,,.Poezinë e Almës e kanë përshendetur dhe Natasha Lako, Zija Çela e plot shkrimtarë të tjerë.
Studjuesi Xheladin Mjeku do të shkruaj ndër të tjerash:
“Siç do ta thotë vet autorja në një rast, ajo i është rikthyer “ftesës ngulmëtare” të muzës së saj, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, për arsye të saja personale, por në asnjë çast nuk ka “heshtur” në ftesat shpirtërore të unit krijues, duke mbrujtur në shpirt “mrekullitë” e provokimeve krijuese…
Kështu, pas një kohe të “heshtur” Alma Jaku vjen me librin e saj të parë poetik “Rropamë ndjenjash”, që padyshim shpërfaq fuqishëm “zjarrin” e brendshëm shpirtëror që do ta ketë përvëluar gjatë, duke e kristalizuar me vargun e saj brilant, për të mbetur gjatë në kujtesën dhe yshtjen e recepientit që nuk do t’i mungojë asnjëherë…”
Për librat e Alma Jakut kanë shkruar gazetat më të mëdha e më prestigjioze të vendit. Poezitë e saj janë komentuara dhe recituara në programe të njohura televizive dhe të radiove kombëtare.
Ka marrë disa here çmime të rëndësishme letrare. Është vlerësuar me çmimin‘ “Gjergj Fishta” nga Akademia e Artit dhe Shkencës, Mirditë, Çmimin e dytë në konkursin kombëtar “At Gjergj Fishta”, me rastin e 150 vjetorit të lindjes, shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Po kështu poezitë e saj dhe tekstet e këngëve të shkruara nga Alma Jaku janë nderuar me çmime në Shqipëri. Vlerësimi më i fundit për krijimtarinë e Alma Jakut është Çmimi i Dytë për tregimin “Tundimet e Shën Arturit” në kategorinë Anonime te Flaka e Janarit 2022, Gjilan.
Ka përfunduar së shkruari librin e ri poetik, të tretin me radhë, i cili do botohet së shpejti, dhe është duke përgaditur dhe librin e saj të parë me tregime.
Këtë dorëshkrim të ri të saj unë e kam në duar dhe jam duke e lexuar me vëmendje. Këtë vëllim poetik e ka shkruar me një gjuhë akoma më të sofistikuar në pikëpamje estetiko-letrare, e përshkuar me stil të lartë, me figuracion dhe me metafora mjaft domethënëse.
Vitet e fundit Alma jeton me familjen e saj në Nju Jork të Amerikës.
Uroj nga zemra që poetesha e talentuar Alma të ketë shëndet dhe të ardhmen të na befasojë me perla e margaritarë të tjerë të çmuar letrarë, si dhe me tregimet e saj shumë të bukura e kuptimësish të thella hermeneutike e me plot meditime kontemplative!
Me respekt dhe konsideratë të veçantë, miqësisht dhe atdhetarisht:
Zekirija Idrizi Shkup
Berlin