Lamtumir vëllai ynë i shtrenjtë Viktor SHARRA😭
Lamtumirë biri Myzeqes dhe Mallakastrës…
U prehsh ne paqe miku i Frances…
Ju qoftë dheu i lehte eurodit dhe personaliteti më i madh i folkloristikes Shqiptare…
Ngushllime doktoresh Aida!
Miq kudo ku ndodheni, pushoi së rrahuri zemra e mikut tone te shtrenjt dhe gjithe grupeve te muzikes polifonike dhe istrumentale Shqiptare, Etnomuzikologu i permasave boterore Viktor SHARRA. Per 26 vjet me radhe grupi Polifonik”SHËNDËLLI “ promovoi vlerat e trashegimis shpirterore ne mbarë Europën.
Viktor Sharra – Menaxheri i grupit polifonik”Shëndëlli” Mallakaster.
Djali nga Myzeqeja, i diplomuar për gjuhë shqipe dhe letërsi nga Universiteti i Tiranës dhe pastaj i diplomuar me Master në Paris, për “Politikë Kulturore dhe Aksion Artistik”, pas një përvoje prej nëntë vjetësh si gazetar, redaktor në Gazetën “Mësuesi”, për më shumë se 35 vjet ka punuarnë shërbimet e marrëdhënieve me jashtë, kryesisht në Ministrinë e Kulturës, por për disa vjet edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe në Komitetin Shtetëror për Kultet. Gjithë kjo përvojë e marrëdhënieve me jashtë, njohja dhe përdorimi i disa gjuhëve të huaja, lidhjet e shumta me operatorët e huaj kulturorë, të cilat u shumëfishuan me qëndrimin në Francë për Masterin dhe me studimet për tezën e tij të Masterit (“Difuzimi i Muzikës dhe Valles Tradicionale në Francë”), si dhe pasioni për muzikën, e bënë Viktor Sharrën menaxherin e parë të vërtetë, profesional, të grupeve muzikore shqiptare, të aftë për promovimin e saj në Botë, me dinjitet dhe në rrugë profesionale. Katërshja jonë pati fatin e madh të njihemi me të gjatë ditëve të Festivalit Folklorik Kombëtar të vitit 1995, që u zhvillua në Berat, ndërkohë që Viktori shoqëronte ato ditë në Festival këngëtarin, instrumentistin dhe muzikologun e njohur francez Erik Marshand. Erikut i kishte pëlqyer koncerti i grupit polifonik të Mallakastrës dhe shumë i kënaqur që pa të njëjtin entuziazëm edhe tek Viktori, i kërkoi atij që të na njihte nga afër. Takimi qe shumë i ngrohtë, me shprehje të simpatisë së dyanshme, me këngë, raki e humor. Ky takim i parë u bë parathënia e një miqësie dhe bashkëpunimi të gjatë artistik, profesional e njerëzor, që vazhdon ende.
Pas disa kohësh, atëherë kur arriti të gjejë edhe garanci financiare, Erik Marshandi i foli Viktorit për idenë e tij të krijimit të një grupi ndërkombëtar të polifonisë dhe monodisë, që do të përbëhej nga katërshja mallakastriote(Albanie), një katërshe nga Sardenja (Itali), këngëtarja spanjole Fransi Gonzales, nga La Korunja (Spanja Veri-Perëndimore), këngëtarja maliane Basé Koné dhe sigurisht, vetë Eriku. Ai i kërkoi Viktorit të na e paraqiste zyrtarisht propozimin për pjesëmarrjen tonë vetëm me katër vetë, gjë që do të përbënte një vështirësi, sidomos për realizimin e isos dhe për disa elementë të tjerë. Viktori ia shprehu këto rezerva Erikut, duke i kërkuar të paktën edhe një këngëtar më shumë, por Eriku i tha se këngëtarët e Mallakastrës kanë një cilësi të tillë që secili vlen sa për dy dhe se ai vetë i kishte hyrë kësaj aventure sepse qe i bindur për këtë. Pra, Eriku e bindi Viktorin dhe Viktori na bindi ne, se kjo aventurë, e nisur kështu, do të bëhej një realitet i bukur. Dhe kështu ndodhi. Grupi u krijua dhe u quajt KAN, që në gjuhën bretone (pra, gjuha e Bretanjës, krahinë veriperëndimore e Francës), do të thotë “këngë”.
Pas pak kohe, ne bëmë udhëtimin tonë të parë jashtë shtetit, sigurisht bashkë me Viktorin, nga kodrat e luginat e bukura të Mallakastrës së dashur në Parisin e magjishëm dhe pastaj në Bretanjë, ku u vendosëm në një kështjellë të shekullit XVII, në një pyll të bukur, pranë një rezervati drerësh, që një nga mbretërit e Francës ia kishte dhuruar një konteshe, e dashur e tij. Këtu u njohëm dhe u miqësuam me pjesëtarët e tjerë të KAN-it. Për dy javë rresht punuam për të ndërtuar një program që do të paraqiste një risi të Erikut. Përveç këngëve të secilit grup apo këngëtar, do të kishte edhe gërshetim të këngëve, madje edhe të isove. Kështu, ndërsa këndonte Eriku, bënim iso ne ose sardët, ose, ndërsa këndonte secila nga vajzat (spanjolja apo maliania), bënim iso ne ose sardët e po kështu, ne u bënim iso sardëve ose ata na bënin iso neve, sipas regjisë së Erikut. Punonim shumë, gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje ndiheshim më shumë të lumtur se të lodhur. Pas 2 javësh, u dha koncerti i parë i grupit të sapoformuar, në Teatrin Kombëtar “Kuarc”, në qytetin bregdetar Brest. Salla e madhe e Teatrit qe e stërmbushur. Në fjalën e tij të paraqitjes së Koncertit, Eriku tha se ai pati një ide të çmendur, për një koncert të tillë, se kishte gjetur edhe 10 të çmendur të tjerë për ta bërëkëtë (ne këngëtarët e tjerë) dhe se, madje, kjo ide kishte çmendur edhe një myzeqar të urtë si Viktorin. Dhe koncerti pati një sukses të çmendur, duke na hequr të gjitha dyshimet e ankthet, Erikut dhe të gjithë neve. Duartrokitjet nuk pushonin dhe shikuesit nuk largoheshin nga salla edhe pas disa biseve. Ne thjesht ndiheshim të lumtur… !
Në vitet në vijim, ne punuam për tri javë të tjera së bashku, në një fshat turistik në Korsikë, ku kishte një studio të mrekullueshme incizimi. Këtu u realizua edhe CD-ja e parë e grupit, që u quajt KAN.
Në vitet që pasuan, turnetë tona jashtë shtetit, në përbërje të KAN-it ose vetëm të katërshes sonë, u bënë thuajse të përvitshme dhe gjeografia e këtyre turneve u pasurua më tej; përveç Francës, e veçanërisht Bretanjës së dashur, ne bëmë turne, po aq të suksesshëm edhe në Zvicër e Abu-Dabi. E them pa u druajtur se në disa qytete e fshatra të Bretanjës, katërshja jonë është më e njohur se në Tiranë e në qytetet e tjera të Shqipërisë, sigurisht përveç vet Mallakastrës.
Për ne, këngëtarët e “Shëndëlliut”, Viktor Sharra nuk është thjesht një menaxher i zoti, që na bëri të njohur në Botë, por edhe një mik i mirë për secilin dhe një personalitet i shquar i kulturës shqiptare e për këtë mjafton ta njohësh nga afër, të njohësh kulturën e tij të gjerë dhe njëheraz përunjësinë e tij të admirueshme, që e lejon të flasë si i barabartë me personalitete botërore të kulturës dhe të arteve, me ministra e drejtues shteti, por edhe me njerëz të thjeshtë, me bujq e barinj, të cilët i respekton dhe i vlerëson për vlerat e tyre kulturore e njerëzore. Mënyra e tij e komunikimit është sa bashkëkohore dhe e sofistikuar, aq edhe e thjeshtë, e ngrohtë e njerëzore dhe përbën një nga vlerat më të dukshme të këtij personaliteti e njëheraz shpreh qartaz bukurinë e mendjes e të shpirtit të tij. Nga çastet më të bukura dhe sigurisht më emocionuese, të koncerteve tona jashtë shtetit, është atmosfera pas koncerteve, kur shikuesit e shumtë na “bëjnë pritë”, në hollin e teatrit, për të na njohur nga afër, për të mësuar sa më shumë për këngën dhe kulturën tonë në përgjithësi, për jetën në Shqipëri e për historinë e saj, për tu miqësuar me ne. E në këto çaste kaq të bukura, është Viktori artisti më i rëndësishëm i grupit - ai duhet të përkthejë sa më shumë shikues në bisedat me këngëtarët dhe duhet duhet t
u përgjigjet, shpejt dhe saktë, qindra pyetjeve, nga më të ndryshmet, deri edhe për historinë, gjeografinë, bimësinë, kulturat bujqësore e sidomos për gjuhën shqipe dhe historinë e saj, gjë që kërkon, përveç zotërimit të mirë të gjuhës së shikuesve edhe një kulturë të gjerë, enciklopedike. Është kjo pra, besoj aftësia e tij e rrallë komunikuese, një nga arsyet e suksesit të Viktorit si menaxher, duke e bërë një “ambasador të vërtetë”, shumë të efektshëm, të kulturës shqiptare në botë.
Po sigurisht Viktor Sharra nuk është vetëm i yni! Janë me dhjetra grupet artistike shqiptare të cilëve ai u ka hapur rrugët e Botës, për të shfaqur në skenat e Evropës, po edhe të kontinenteve të tjerë, vlerat e tyre më të mira, gjë që i shërben aq shumë ndër të tjera imazhit sa më të mirë të Shqipërisë sonë në Botë. Ndër artistët popullorë, është i njohur suksesi i Viktor Sharrës me Familjen Lela, në Francë dhe në disa vende të tjera të Evropës, sigurisht falë gjeniut të klarinetës Remzi Lela(Çobani) dhe aftësive të rralla profesionale të të gjithë vëllezërve Lela, po edhe aftësive dhe punës së heshtur të Viktorit për t`u hapur rrugën sukseseve të tyre. Kaq e thellë është miqësia e Viktorit me këta artistë të rrallë, sa ata i thonë me shaka: “Ty duhet të të quajmë Viktor Lela”, pra e quajnë pjesë të familjes. Së bashku me shkrimtarin dhe personalitetin e madh të kulturës shqiptare Vath Korreshi, Viktori shkroi skenarin e një filmi shumë të bukur dokumentar për” Çobanin e paharruar”.
Janë edhe shumë grupe të tjera të muzikës popullore shqiptare, që kanë njohur nga afër dhe kanë përfituar nga aftësitë menaxheriale të Viktor Sharrës, nga kultura e tij e gjerë dhe nga sjellja e tij prej miku, si Grupi “Shqiponja” i Tepelenës, Grupi polifonik i Picarit, Ansambli “Labëria” i Vlorës, Grupi i klarinetistit Bajram Shaçma nga Fieri, Grupi i klarinetistit Bashkim Llapushi nga Gramshi, Grupi i këngëtarëve dhe instrumentistëve çamë të Fierit, dyshja e këngëtarëve dhe instrumentistëve Sherif Dervishi e Tonin Haxhia, lahutari Pjetër Matusha dhe shumë të tjerë, të cilët, jam i bindur se janë dakord me këto që po shkruaj dhe me siguri do të donin të shtonin të tjera. Rreth 400 është numri i koncerteve të grupeve artistike shqiptare, kryesisht të muzikës popullore, në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë, të organizuar, kontraktuar e shoqëruar nga Viktori në cilësinë e menaxherit e të përfaqësueit të grupeve. E, meqë jemi këtu, do të shtoja me shumë kënaqësi se, të gjitha ata që punojnë me Viktorin, ai vetë i quan dhe i trajton si miq e po kështu ata e duan si një mik. Është meritë e tij që e ruan me shumë fanatizëm harmoninë e brendshme të grupeve e madje edhe miqësinë mes grupeve që menaxhon. Ndonjëherë, kur ka ndonjë problem sado të vogël mes artistëve të një grupi, Viktori u thotë: “Mos harroni se jeni të dënuar të jeni miq!”. Kur Viktorit i duhet të zgjedhë një grup për koncerte jashtë shtetit, ai mban parasysh dy kritere, njëlloj të rëndësishëm për të: cilësitë artistike dhe cilësitë njerëzore.
Folëm për “eksportin” e muzikës sonë në vende të tjerë, por veprimtaria e Viktorit është shumë e rëndësishme edhe për “importin”, pra për organizimin në vendin tonë të veprimtarive muzikore ndërkombëtare, duke siguruar pjesëmarrjen në to të grupeve të huaja. Ai qe një ndër organizuesit kryesorë të të parit festival ndërkombëtar të muzikës popullore në vendin tonë – “Gramshi 2000”, në qytetin e Gramshit. Ndërkohë ne mallakastriotët i detyrohemi për organizimin, në vitin 2007, të të parit festival ndërkombëtar të polifonisë në krahinën tonë, që vetë Viktori e pagëzoi me emrin e bukur e domethënës “Bylisfonia”, në të cilin, falë punës së tij, morën pjesë edhe grupe nga Zvicra e Greqia.
Së fundi do të thosha se kur flasim për trashëgiminë kulturore materiale, kemi disa personalitete, që kanë drejtuar ekspedita të ndryshme për zbulimin e saj në shumë site arkeologjike të vendit dhe kanë bërë studime të thelluara mbi bazën e atyre zbulimeve, duke e promovuar trashëgiminë tonë, të tillë si Hasan Ceka, Myzafer Korkuti, Skënder Anamali, Neritan Ceka, Skënder Muçaj, Bashkim Vreka, Esmeralda Kodheli e të tjerë, në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore, duke filluar nga elementi themelor i kulturës sonë kombëtare – gjuha shqipe, unë do të shquaja Zotin Viktor Sharra, nga qyteti i Fierit, që, për shumë e shumë bartës e interpretues të formave artistike të kulturës popullore shqiptare, është një simbol i vlerave më të mira kulturore shqiptare dhe mbrojtës fanatik i tyre..
I perjetshme emri dhe kujtimi juaj, Viktor SHARRA 😭😭