Nga: Alfred Lela
Kundërshtarët politikë (edhe pse fshehurazi), dhe sidomos kritikët e kryeministrit Rama, në fund të ditës do të donin që ai të përfaqësonte një Shqipëri të respektuar e cila, edhe nëpërmjet tij, bëhej më e pranuar, më e dëgjuar, më thelbësore në komunitetin ndërkombëtar. Sa herë ai, me anë të akteve, gjesteve apo fjalëve, e bën Shqipërinë të duket, të paktën një vend normal, apo sa herë, për të normalizuar profilin e qeverisë së vet, bën të kundërtën, si kritikët ashtu edhe mbështetësit, mendojnë të njëjtën gjë. Kur përmenden këto dy grupe, shmangen fanatikët, ata që çfarëdo të bënte idhulli apo armiku i tyre, ose do të skërmiteshin në urrejtje, ose do të shkriheshin në kënaqësi, pothuaj erotike. Fanatikët nuk janë masa e duhur e matjes apo përshkrimit të gjërave.
Pasë hequr qafe këtë, duhet thënë, nga pozitat e një jofanatiku, se kryeministri Rama, në marrdhëniet me jashtë e ngatërron qeverinë me Shqipërinë. Në kuptimin se, në aktet e ndërmarra për të marketuar qeverinë apo veten si kryeministër, ai shpërfill, si peshën gjeopolitike të Shqipërisë, ashtu edhe tagrin që i jep kjo rëndesë atij si Kryeministër. Duke bërë këtë e fut veten në një cirk ekspozimesh mediatike dhe të piarit politik, që e bëjnë të duket i pavend dhe jashtë kohe-madje edhe jashtë stili (duke e marrë këtë si masë të përhershme të unitetit te vetes që ai i njeh vetes).
Vizita në Kiev dhe takimi me presidentin Zelensky është ilustrim i kthjellët i kësaj. Turi, bërë për të dëshmuar Ramën si solidar, euroatlanticist, pjesëmarrës aktiv të klubit të së mirës kundër boshtit të së keqes (lexo Rusisë dhe Putinit, etj.,), nuk realizon dot, dhe as nuk do të mundej, ndonjëherë, asnjërën. Fakti që ekipi i komunikimit të Presidentit ukrainas i kishte ngatërruar dy kryeministrat ballkanikë, duke e bërë Ramën shef të qeverisë malazeze dhe Abazoviçin të shqiptares, është vetëm një bisht i keqkuptimit të Special One-it nga Tirana me rolin e vet në arenën ndërkombëtare. Fakti se gafa e ukrainsave e dëshmon si të panjohur, nuk lidhet direkt me të, se sa me vendin që përfaqëson. Gafa e Ramës fillon kur ai ngutet të ulet, me hartën e vogël të Shqipërisë, si kaçatorr, në luftanijen e madhe të konfliktit të ri botëror, ankoruar tashmë prej disa muajsh në Europën lindore.
Vendimi i tij për të publikuar bisedën telefonike të para disa javëve me presidentin ukrainas, një precedent më vete në repertorin e marrdhënieve ndërkombëtare, e bën të ngjajë më shumë si një influencer në rrjetet sociale, se sa dikush që don të ndikojë jetën e vendit të vet dhe të botës. Sado e habitshme të duket, Shqipëria ndikohet ZERO nga biseda e Ramës me Zelenskin në telefon dhe ASFARE nga vizita e tij në Kiev. Shqipëria dhe kryeministri i saj nuk kanë një zë dhe rol në këtë luftë; ata janë vetëm pjesë e korit të djemve në psalmin e madh vagnerian të kësaj lufte, që e dirigjojnë dy apo tri fuqi të mëdha. Të ngatërruarit e veladonit të bardhë të fëmijës së korit me dalmatikën e purpurt të kardinalit, është një shmangie dhe teprim. Është sidomos i tillë spiropalizimi, edhe i kësaj vizite (për të përdorur një term të kolegëve të lapsi.al). Morbiditeti, që si kryeminsitri ashtu edhe ministresha e tij, u kishin veshur portreteve, dhe sidomos kopjimi i skenave të filmave apo vizitave të presidentëve amerikanë, me syzet e errëta firmato, aksesorë klishe, me qëllim holllivudëzimin e atij momenti dhe vizite fatkeqe, tregojnë diçka për karakterin e tyre dhe synimet, më shumë prej influencers se sa qeveritarësh. Në të gjitha vizitat e bëra në Kiev nga përfaqësues shtetesh të tjera, në emër të solidaritetit me një komb dhe qeveri të rrethuar dhe padrejtësisht të sulmuar, nuk gjen asnjë imazh të ngjashëm me ato të shpërndara nga kryeministri ynë dhe shpura e tij. Me dëshirën për pompë, at ku duhet të ketë vetëm përunjësi, kryeministri dhe të tijtë ia dolën të anulojnë një vizitë solidariteti duke e kthyer në ekskursion lufte.
Rama, megjithë Elisën e tij të çudirave të mbetur pa botë reale, dukeshin dje si vizitorë në Muzen e luftës së Ukrainës me Rusinë, jo si qeveritarë në një vend në luftë. Fanatikët, sigurisht, nuk mendojnë kështu, por ata janë vazhdimisht në luftën e të dashurit më shumë të idhullit se sa të vetes, dhe rrjedhimisht nuk e dalllojnë dot kur lufta ka filluar.