Abuzoi me ligjin për Territorin, 10 milionë lekë gjobë resortit luksoz të Papulit në Dhërmi
Resorti luksoz “Ionian Olea”, i ngritur në bregun e Dhërmiut nga investitorët Mirela Papuli dhe Artan Dumi, është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Në Gusht 2020, inspektorët e IKMT kanë vendosur dy gjoba ndaj biznesmenëve Papuli dhe Duni, secili me nga 5 milionë lekë të vjetra.
Për më shumë se një vit, pronarët e resortit luksoz nuk e kanë shlyer detyrimin dhe IKMT i është drejtuar organeve të drejtësisë për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit.
Në dy vendime të ndryshme, që mbajnë datën 13 dhe 14 shtator 2021, Gjykata Administrative e Tiranës ka miratuar urdhërin ekzekutiv, i cili është i paankimueshëm.
Në vendimet e gjykatës, të konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton se IKMT ka vendosur dy gjoba ndaj Papulit dhe Dumit, me vlerë totale 10 milionë lekë gjobitur, në datën 11 gusht 2020.
Në vendimet e gjykatës nuk është e përshkruar natyra e shkeljes së kryer nga pronarët e resortit luksoz.
Megjithatë, në vendimin gjyqësor është sqaruar se investitorët as nuk e kanë ankimuar dhe as nuk e kanë paguar gjobën.
E, për këtë arsye, gjykata miratoi kërkesën për lëshimin e urdhërit ekzekutiv, nëpërmjet të cilit detyrohen pronarët e “Ionian Olea” që të paguajnë tashmë gjobën, të cilën e kanë anashkaluar për më shumë se një vit.
Mirela Papuli, bashkëshortja e biznesmenit të njohur Agron Papuli, i etiketuar nga opozita si një prej “oligarkëve pranë Ramës”, si edhe sipërmarrësi tjetër, Artan Dumi, nisën investimin e tyre për ndërtimin e resortit rezidencial “Ionian Olea” 5 vjet më parë.
Në qershor të vitit 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik ‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.
Pak muaj më pas, edhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i drejtuar nga ministrja e Kulturës e asaj kohe, Mirela Kumbaro, dha miratimin për vijimin e ndërtimit, në një truall, i cili kishte probleme të theksuara me pronësinë.
Një investim i agjencisë “Birn” në vitin 2018, i publikuar edhe nga “Boldnews.al”, tregoi për përplasjet mbi pronësinë e truallit ku po ndërtohej ‘Ionian Olea”, si edhe personat e përfshirë në atë histori, mes të cilëve edhe (ish) deputeti-biznesmen, Alket Hyseni.
Dokumentet e siguruara nga media tregojnë se, origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën studio ligjore e Alket, Hysenit, “Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea”, nga e cila do të përfitonte sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro, është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.