Kreu i Partisë Demokratikë Sali Berisha, ka folur si çdo të premte para gazetarëve.
I pyetur nëse e përkeqëson situatën brenda PD-së marrëveshja me Ilir Metën, duke patur parasysh marrëdhëniet e kreut të PL-së me grupin e Alibeajt, Berisha e cilësoi edhe njëherë si marrëveshje historike.
Ai tha se në PD nuk ka palë, por deputetë që mendojnë ndryshe të cilët në bazë të statutit kanë të dreejtë të propozojnë kandidatët e tyre.
Pyetje: A e përkeqëson situatën brenda PD marrëveshja me PL-n?
Berisha: Mendoj se marrëveshja e djeshme është historike. Është absolutisht marrëveshja që do t’i japë fund monizmit në Shqipëri. Është marrëveshja që do të nxjerrë nga Bashkia njeriun që meriton çdo epitet por që epitetet nuk zgjidhin asgjë sepse shndërrojnë me shpejtësi Tiranën në qytetin më të pistë në 10 qytetet e botës. Ajër i ndotur do të thotë ajër kancerogjen. Që krijoi në Tiranë me kullat e tij zonat e dendësisë maksimale të popullatës që nuk i gjen në asnjë qendër europiane, që mashtrojnë në çdo hap qytetarët shqiptarë dhe që vodhën në mënyrën më monstruoze, e shndërroi Sharrën në minierë ari për vete dhe Ramën. Këto janë objektivat e marrëveshjes historike mes PL dhe PD.
Pyetje: Ju keni deklaruar se në negociata jeni futur pa kushte, por a është kusht për palën tjetër që tashmë të pranojnë dhe Metën si aleatë?
Berisha: Nuk ka palë, ekzistojnë deputetë të PD-së. Kështu që ata në kuadër të statutit gëzojnë çdo të drejtë të kandidojnë secili ose të propozojnë kandidat për primaret.