Berisha: Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë
Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit, njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të lirisë të kombit tonë. Njeriut që me guximin e tij, ia doli të kontribuojë më shumë se kushdo tjetër, në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve, ndërrimin e epokave në Shqipëri.
Ditën që e përcollëm në banesën e fundit, nuk vajtuam dhe brohoritëm: Azem, ti je gjallë!
Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë.
Azem Hajdari i tha diktatorit se kemi dalë në këtë betejë për fatet e kombit
Takimin tim të parë me Azem Hajdarin e kam pasur më 9 dhjetor 1990.
Me Besnik Mustafën, shkuam të bashkohemi me studentët dhe në Rrugën e Elbasanit, një masë prej 700-800 studentë protestonin.
Mbi ta ngrihej si lider një djalë, student, bashkëmoshatar me ta, ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: Poshtë diktatura, poshtë dinastia, e duam Shqipërinë si gjithë Europën.
Për ne që sodisnim, ai ishte një mbinjeri, një legjendë, ai po bënte rrugëve të Tiranës, atë që nuk e kishte bërë kush në një gjysmëshekull.
Shqipëria në vitet 90 nuk ishte e qetë. Shkodra e nisi me demonstratën për heqjen e busteve të satanëve, Kavaja skuqi rrugët e saj me gjakun e të rinjve kundër diktaturës.
Heronjtë e 2 korrikut e përmbysën Murin e Berlinit në Tiranë, por shoqëria vazhdonte letargjinë e saj. Nuk i mbështeti, nuk i përkrahu. Dhe ata regjimi i nisi me procesion ushtarak jashtë vendit.
Kështu që pas saj, në Shqipëri por jo vetëm, në Europë dhe më gjerë, predominoi mendimi se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut, Shqipëria do mbetej kështjella e socializmit, siç e cilësonte regjimi.
E përmend shpesh dhe prapë do e përmend, në një intervistë që jep Verner Daum, ish-ambasador gjerman në atë kohë, një mik i madh i kombit shqiptar, që bëri gjithçka për suksesin e 2 korrikut, ai dëshmon se qeveritë tona, kancelaritë tona, nuk ishin dakord me trazimin e Shqipërisë.
Fatalisht kishin pranuar specifikat e paraqitura nga regjimi komunist si një ndëshkim për shqiptarët, por lavdi Zotit, nuk kishte këtë mendim Azem Hajdari, nuk kishin këtë mendim bashkëluftëtarët e tij.
Problemi është se kush do dilte në shesh të mejdanit dhe ky ishte Azem Hajdari me një grup studentësh, i cili u ngrit dhe i tha diktatorit se kemi dalë në këtë betejë për fatet e kombit.
Nga ai moment, ai mbeti një udhëheqës i pavdekshëm i lirisë së shqiptarëve.
Azem Hajdari u shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj
Azem Hajdari, lëvizja studentore, solli pluralizmin dhe themeloi PD-në. Njëkohësisht solli në qendër jo vetëm lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si kombi më i shtypur i planetit, por edhe çështjen kombëtare, e tradhtuar dhe injoruar tërësisht nga Tirana zyrtare.
Ai u shndërrua në një avokat të pamposhtur të vlerave në të cilat besonte. U shndërrua në një avokat të pamposhtur të lirive dhe të drejtave njerëzore në Shqipëri.
U shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj.
Ekzekutimi i Azem Hajdarit ishte hakmarrja më primitive e bijve të etërve, pushtetin e të cilit ai përmbyti.
Sot, Azem Hajdari është frymëzim për çdo shqiptar. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të mos kuptosh, të mos ndjesh, të mos reagosh ndaj të keqes që pushton gradualisht të gjithë qenien tënde.
Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit. Shqiptarët t’i dalin zot vendit
Ky pushtet është pushteti më barbar, më mizor që kanë njohur shqiptarët. Ne kemi pasur fatin të përjetojmë pushtime të shumta, por asnjë pushtim tjetër nuk ka arritur të spastrojë shqiptarët etnikisht sa ç’ka arritur Edi Rama.
Dhe ky është një kushtrim për çdo shqiptar, në Shqipëri dhe botë, për t’u ngritur. Të mos sodisin këtë vdekje graduale të Shqipërisë. Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë. Shqipëria është djepi, është kushti më themelor i ekzistencës së kombit shqiptar.
Ndaj ftoj shqiptarët t’i dalin zot vendit të tyre ndaj një agresioni barbar të mafies. Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit.
Nëse në harkun e 8 viteve, largohet një e treta e kombit, në 16 vitet e ardhshme nuk do ketë më shqiptarë këtu.
Ky komb nuk e meriton të zhduket. Ai ka mbijetuar dhe mbijeton në tokat e veta, pa pasur varre përveçse në këto toka.
Rama dhe Yuri Kim bënë gjithçka për shkatërrimin e PD-së, ne do hyjmë në zgjedhje dhe do e përmbysim këtë regjim
Sot, ata që vranë, ekzekutuan Azem Hajdarin para PD-së, sot ata që kontraktuan si vrasës McGonigalin, që kanë kontraktuar si vrasës me pagesë ambasadorë, bëjnë gjithçka që ne të mos hyjmë në zgjedhje. Bëjnë gjithçka duke i thënë vulën dhe logon pengjeve që i kanë marrë ata në këtë afër makbethiane. Rama nuk është i vetëm. Ai u ndihmua nga ambasadorja Yuri Kim, e cila bëri çdo ndërhyrje në gjykate. E korruptuar sa vetë McGonigal, ajo është betuar se PD do shkatërrohet, se Shqipëria do përjetojë ndëshkimet më të rënda. Pse? Sepse nuk pranon monizmin e Edi Ramës.
Të gjitha këto u kaluan, ndaj Azemi është më i gjallë se kurrë sot. Ne jemi dhe mbetemi opozitë e fuqishme sikur atëherë që u krijuam. Aleati më kryesor janë dhe do mbeten SHBA dhe BE. Ne mbetemi të angazhuar që n këto zgjedhje të marrim rezultatet më të mëdha dhe t’i japim goditjen më të fuqishme Edi Ramës dhe përpjekjeve të mafies për të shndërruar Shqipërinë në çifligun e saj. Azemi sot është më i gjallë se kurrë, njësoj siç ngrihej mbi supet e studentëve më 9 dhjetor.
Ne sot, të frymëzuar nga ai, do vazhdojmë betejën tonë në të gjitha fushat.
Në një revolucion të pandalshëm deri në përmbysjen e këtij regjimi që nuk meriton të qeverisë asnjë ditë Shqipërinë.