Hatixhe Sula po kujdesej për të bijën tetraplegjike në kohën kur kamionët e ushtrisë zbarkuan pranë kampit të kontenierëve në Manzë – rreth 16 kilometra në veri të Durrësit, për të shpërndarë pakot me ushqime si pjesë e operacionit humanitar për familjet në nevojë gjatë pandemisë së COVID-19.
Me të mësuar lajmin, gruaja rreth të 70-ave vrapoi bashkë me të shoqin drejt kampit, por mbeti duarbosh. “Megjithëse nxituam, nuk morëm asgjë. Jemi dy pleq me një vajzë të sëmurë. Kujt më shumë sesa ne i takonte?” pyet e zhgënjyer Hatixhja.
Me shtëpinë e rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe me vajzën me aftësi të kufizuara, familja e Hatixhe Sulës përmbush njëherazi tre nga pesë kriteret e programit të asistencës gjatë kohës së karantinës. E megjithatë, e moshuara u ankua se askush nuk e njoftoi për ndihmat dhe askush nuk mbajti shënim se “kush përfitoi e kush jo”.
Pas izolimit të vendit nga pandemia e COVID-19, kryeministri Edi Rama prezantoi më 19 mars një program asistence për familjet në nevojë, duke vendosur në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes 16 milionë euro për operacionet humanitare.
Përveç familjeve në ndihmë ekonomike, pjesë e programit të asistencës u bënë edhe personat me aftësi të kufizuar, pensionistët, të pastrehët dhe familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Nuk do të lemë derë pa trokitur,” premtoi Rama, ndërsa postoi me dhjetra foto e video në faqen e tij në Facebook nga operacioni i shpërndarjes së pakove me ushqime nga forcat e Ushtrisë. E megjithatë, dhjetëra familje në nevojë i thanë BIRN se u braktisën në kufijtë e mbijetesës ose morën paketa ushqimore që nuk zgjatën as dy javë –të pamjaftueshme për të shuar urinë përgjatë dy muajve të izolimit nga pandemia.
Në përpjekje për të verifikuar numrin e familjeve në nevojë që u asistuan me paketa ushqimore gjatë karantinës, BIRN u përball me kakofoni shifrash, ndërsa krahasoi raportimet e kryeministrit Edi Rama në faqen e tij në Facebook me të dhënat e siguruara nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga 61 bashkitë e vendit.
Nga marsi deri në fund të majit, Rama raportoi për mbi 400 mijë familje dhe individë të asistuar nga operacioni humanitar, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes deklaron se vetëm gjysma e tyre –rreth 226 mijë familje u ndihmuan me paketa ushqimore dhe jo-ushqimore falas.
Të dhënat e mbledhura përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 12 prefekturat e vendit ofrojnë një bilanc edhe më të zbehtë.
BIRN llogariti se në të gjithë territorin e Shqipërisë u shpërndanë rreth 173 mijë paketa ushqimore falas në total, ku një pjesë e mirë e tyre u mblodhën si donacione nga shoqatat dhe kompanitë e biznesit.
Gjithashtu, qeveria rezulton të jetë operatori më i vogël në këtë operacion, ndonëse i monopolizoi shifrat në reklamimin e solidaritetit të saj me shtresat në nevojë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndihma direkte nga Rezervat e Shtetit zuri vetëm 12% të totalit të raportuar nga Ministria dhe rreth 11% të totalit të raportuar nga Bashkitë. Në të dyja rastet, ndihma direkte e qeverisë është më pak se gjysma e pakove ushqimore të mbledhura nga donacionet. I pyetur nga BIRN për mospërputhjen e shifrave, një zyrtar i Forcave të Armatosura që foli në emër të Ministrisë së Mbrojtjes tha se raportimet e kryeministrit nuk përfshijnë vetëm ndihmat falas.
“Kryeministri në informimet ditore ka përfshirë çdo lloj asistence që u është dhënë shtresave në nevojë, përfshi edhe shpërndarjen e medikamenteve dhe pakove ushqimore me pagesë,” tha koloneli, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër.
Ministria e Mbrojtjes pranoi gjithashtu se pjesë e raportimeve janë bërë edhe donacionet, por ky konsiderohet një “skandal” nga ekspertët e kontaktuar nga BIRN.
“Nëse ka ndodhur kjo, atëherë kemi të bëjmë me një mashtrim qeveritar dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndë,” tha Sherif Bundo, pedagog në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. “Kjo ka të bëjë me sjelljen solidare të shoqërisë dhe jo me fytyrën sociale të qeverisë,” shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se pse donacionet nuk u raportuan më vete, deri në publikimin e këtij shkrimi.
Tender urgjent me magazinat plot
Ilustrim i pakos ushqimore të miratuar nga Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës, bashkë me çmimet për secilin produkt. Përmes një vendimi më 19 mars, qeveria mori pësipër të asistonte familjet në nevojë gjatë izolimit nga pandemia, duke dërguar në shtëpitë e tyre pagesat mujore të ndihmës ekonomike, paketat ushqimore dhe jo-ushqimore minimale, barnat e rimbursueshme si dhe ato me pagesë.
Një Komision Qendror për Ofrimin e Asistencës u ngrit gjithashtu, i kryesuar nga ministja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Një nga detyrat ishte përcaktimi i masës së produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore që do t’u shpërndahej familjeve në nevojë.
Në të njëjtën ditë me vendimin e qeverisë, Ministria e Mbrojtjes hapi një tender me procedurë të përshpejtuar me vlerë 105.7 milionë lekë [800 mijë euro] për blerjen e paketave ushqimore dhe përzgjodhi përmes negocimit të drejtpërdrejtë, kompaninë maqedonase “Eurovia”.
Megjithatë, në kohën kur Ministria e Mbrojtjes po zhvillonte tenderin me urgjencë për blerjen e produkteve ushqimore, magazinat e Rezervave të Shtetit në Lundër ishin plot.
Një dokument i siguruar nga BIRN tregon se në fillim të pandemisë gjendeshin të magazinuara në Lundër 400 ton miell, 80 ton oriz, 80 ton sheqer, 70 ton makarona, 50 ton vaj, 50 ton fasule, 20 ton konserva mishi, 5 ton kripë, 30 ton detergjentë dhe 30 mijë copë sapunë.
Pas fitimit të tenderit, kompania “Eurovia” dorëzoi 30 mijë pako ushqimore, por ato nuk iu shpërndanë menjëherë shtresave në nevojë. Sipas zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes që ndoqi të gjithë zinxhirin e operacionit humanitar, pakot ushqimore të tenderit u magazinuan si fond rezervë në Lundër, ndërsa forcat e Ushtrisë shpërndanë produktet ushqimore që ndodheshin aty më herët.
Tenderi i ushqimeve është pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike në opozitë për paracaktimin e fituesit. Ish-drejtuesi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi sheh shkelje ligjore edhe për mbajtjen e tij si fond rezervë.
“Ky është një fond i dhënë me tender të përshpejtuar, pa procedurë, pa garë, me qëllim që të shkojë urgjentisht tek familjet në nevojë. Nuk lejohet të mbahen rezervë.