Blegtorët dhe fermat janë në rrezik falimentimi nga mospërballimi i kostos të mbajtjes të bagëtive. Çmimi i qumështit si lëndë e parë, po blihet më shtrenjtë se asnjëherë nga fabrikat e përpunimit, sepse kostot e fermerëve dhe blegtorëve janë rritur pa fund.
Për të ndaluar ikjen e blegtorëve fabrikat e qumështit janë të detyruara ta blejnë më shtrenjtë qumështin. Shtimin e kostove përpunuesit po e amortizojnë në rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit. Secili operator në treg këtë vit ka rritur të paktën 2 herë çmimet.
Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” ngre shqetësimin se kjo situatë po rrezikon edhe falimentimin e fabrikave të përpunimit të qumështit. Drejtori ekzekutiv i shoqatës Aldo Hoxha tha për “Monitor” se qumështi i lopës është 31% më i lartë, i deles 33% dhe i dhisë 50%.
“Fabrikat sot po e blejnë qumështin me çmimin më të lartë që është blerë ndonjëherë, sepse fermat dhe fermerët janë në situatë falimenti, nga rritja e çmimeve dhe kostove për çdo aktivitet që kryejnë për blegtorinë. Bashkë me ta do të falimentojë edhe i gjithë sektori përpunimit të qumështit. Maksimalisht me para qumështi i lopës është blerë nga fabrikat 58-59 lekë/litër me TVSH, kurse tani po blihet maksimalisht 76-77 lekë/litër me TVSH. Qumështi i deles më parë është blerë maksimalisht me 90 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 120 lekë/litër me TVSH. Kurse çmimi maksimal i qumështit të dhisë ishte 60 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 90 lekë me TVSH. Nëse fabrikat e përpunimit nuk e blejnë me këtë çmim, ata falimentojnë dhe do të largohen nga sektori. Nëse largohen blegtorët, automatikisht jemi të falimentuar dhe ne. Sektori është në situate dramatike edhe nga informaliteti i lartë baxhove dhe qumështi i rrugës që po na dëmton përditë dhe më shumë”, veçon z. Hoxha.
Sipas tij rritja e çmimit të qumështit ka ardhur nga rritja e kostove të mbajtjeve të bagëtive. Në kahun tjetër përpunuesit përveçse po blejnë qumështit më shtrenjtë po vuajnë edhe rritjen e kostove nga çmimi i energjisë, gazit, plastikës dhe naftës.