Skema e mashtrimit me TVSH / Sekuestrohet kompania “ALFA NIKEL” e biznesmenit Ali AGOLLI dhe një HIDROCENTRAL në Dhërmi (EMRAT)
Një skemë mashtrimi me TVSH në Durrës ka çuar në pranga 8 persona dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Prokuroria ka zbardhur skemën ku janë përfshirë disa zyrtarë të Tatimeve të Durrësit dhe biznesmen të njohur, dhe ka fimrosur arrestimin e tyre.
Sipas verimeve hetimore, dëmi financiar në këtë skemë mashtrimi përllogaritet në një vlerë prej 6 milion euro. Mes të arrestuarëve është dhe pronari i një kompanie që operon në zonën e Bilishtit në Korçë, shtetasi Ali Agolli. Në njoftim thuhet se është sekuestruar kompania “Alfa Nikel” me vlerë 1.2 milionë euro.
Gjithashtu, është sekuestruar një hidrocentral i vogël në Dhërmi me sipërfaqe 700 m2, si dhe një apartament me sipërfaqe 215 m², në emër të shtetasit Enis Xhaferi, në zonën Lungomares në Vlorë.
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit:
Regan Merdani, 30 vjeç, lindur e banues në Durrës.
Enis Xhaferi, 37 vjeç, banues në Vlorë.
Roland Avdo, 39 vjeç, banues në Tiranë.
Benn Caka, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ali Agolli, 45 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë.
Masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për shtetasit:
Roberto Buongiorno, 56 vjeç, lindur në Itali e banues në Tiranë.
Besim Karreçi, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Helbert Alemi, 45 vjeç, lindur e banues në Vlorë.
Janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet
T.A., 47 vjeç, lindur në Kruje e banues në Kamëz;
A. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Nga hetimet financiare të kryera gjatë hetimit proktiv penal është bërë i mundur identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të mëposhtme:
Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”, në vlerën 1,200,000 euro, në emër të shtetasit Ali Agolli,
Një hidrocentral me një sipërfaqe 700 m² ne Dhërmi, në emër të shtetasit A.Xh.,
Një apartament me sipërfaqe 215 m², në emër të shtetasit Enis Xhaferi.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore.
Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro.
Njoftim zyrtar nga DVP Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, për goditjen e skemave mashtruese që sjellin dëme të mëdha ekonomike.
Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e DVP Tiranë dhe Vlorë.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas.
Vendoset sekuestro preventive për disa prona që arrijnë vlerën 2 milion euro.
Hetuesit financiarë, në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, kishin dërguar materiale hetimore paraprake në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila kishte regjistruar procedimin penal për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vijim të këtij procedimi penal u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: E. Xh., 38 vjeç, R. M., 30 vjeç, R. A., 39 vjeç, A. A., 45 vjeç dhe B. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Në zbatim të këtij procedimi dhe vendimit të prokurorit u bë sekuestrimi i aseteve të mëposhtme:
-Një shoqëri e quajtur “Alfa Nikel”;
-Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi;
-Një apartament me sipërfaqe 215 m².
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore.
Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.