Gjykata Kushtetuese “foli” sot përfundimisht: zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë të ligjshme! Edhe pse vendimi i “diktuar” nga Komisioni i Venecias, së cilës Kushtetuesja i kërkoi opinion, nuk suprizoi, në vend hapet një tjetër kapitull. Presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në Itali, duhet që të dekretojë një tjetër datë për zgjedhjet e pjesshme lokale. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e tij për ç’dekretimin e zgjedhjeve, nga ana e Presidencës nuk ka ende asnjë reagim zyrtar lidhur me qëndrimin përfundimtar të Kushtetueses. Por kjo nuk është e vetmja detyrë, pasi palët presin një tjëtër dekret nga Meta, për të caktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme. Tashmë Ilir Meta nuk ka më asnjë justifikim për të mos hapur garën për kryetarët e bashkive Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje. Edhe pse kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi pretendon ta dërgojë çështjen deri në Strasburg.
Në vend, janë jo pak por 5 bashki, nuk udhëhiqen më prej kryetarëve të përzgjedhur në garën e vitit 2019. I pari prej tyre që kurrë nuk hyri në zyrë është i zgjedhuri në Shkodër, Valdrin Pjetri. Në vazhdën e “ngrënies së kokave të kryebashkiakëve të lidhur me krimin”, e iniciuar nga Gazment Bardhi, Pjetrit iu zbulua një vendim kundër tij në Itali. Gjatë kohës që ai kryente studimet në Itali, në vitet 2001-2002, ishte dënuar me gjobë për lëndë narkotike, vendim të cilin e kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit që depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Por më pas, Gjykata e Tiranës vendosi se Pjetri në përputhje me ligjet italiane nuk kishte pse ta deklaronte dënimin e marrë nga vendi fqinj, duke dalë i pafajshëm. Megjithatë Bashkinë më të madhe të veriut, bastionin e Partisë Demokratike ndër vite e humbi.
Pas tij, edhe ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku u shkarkua me vendim të KQZ-së në formë unanime, me 5 vota pro, pasi ai nuk pati deklaruar identitetin e rrëmë që kish përdorur në Greqi si Jorgo Totos, me të cilin kishte qenë i ndaluar nga policia greke. Por edhe në Shqipëri, ai ka pasur akuza për falsifikim dokumentash dhe aktualisht është kthyer në një person të kërkuar nga drejtësia. Pas kaq kohësh, ai ende nuk është zbuluar ku ndodhet. Edhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj duhet që të lërë postin pasi gjithashtu është dënuar në Greqi për dhunë të ushtruar ndaj punëdhënësit të tij, me pretendimin se nuk i kishte dhënë paratë e ditës së punës.
Por ka pasur dorëheqje edhe nga radhët e socialistëve. Edhe e zgjedhura e Durrësit, Valbona Sako dha dorëheqjen pas gafave që bëri publikisht duke luajtur me jetët e njerëzve që humbën jetën nga tërmeti tragjik i vitit 2019. Që prej largimit të saj, Bashkia ka ndërruar dy drejtues. Pas saj, Dionis Imeraj la postin për të garuar si deputet për qarkun e Dibrës. Por bashkë me “ëndrrën” për t’u futur në Kuvend, humbi edhe postin në Bashki. Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare si pasojë e një infarkti.
Të gjithë të sipërpërmendurit duhet që të zëvendësohen, por ende nuk dihet nëse zgjedhjet lokale do të zhvillohen ende si të vetëm, apo do të kenë përballë opozitën e PD dhe LSI-së. Ndoshta Meta me kthimin nga Italia do të nisë takimet me zyrtarë të partive respektive për të caktuar një datë për zgjedhjet, megjithatë duket se data është e afërt. Që prej daljes së oponionit të Komisionit të Venecias, PS ka nisur me mbledhjet e shpeshta në seli me kryebashkiakët. Cilët do të jenë të zgjedhurit për të gjitha Bashkitë? Kush do të zgjedhë kë për të përfaqësuar ngjyrat e partisë? Të gjitha do të zbulohen një nga një, por fillimisht duhet një datë nga Presidenti.