Arrestohet ish-drejtori i Postës së Korçës, Valter Gora. Lajmi bëhet i ditur nga burime për BalkanWeb.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kontrata”, në pranga përfundoi edhe një ish-specialist sigurie që punonte në postë. Po ashtu u ekzekutua masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për 7 punonjës të tjerë të Postës, ndërsa është shpallur në kërkim 1 qytetar, shtetasi me inicialet S. M.
Nga hetimet e kryera rezulton se personat e përfshirë në këtë skemë abuzive të shpërdorimit me postin, duke ushtruar detyrat e tyre respektive pranë Postës Shqiptare në filialet Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori V. G., ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte. Në vijim të veprimeve procedurale është provuar se shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.