Libri i ri
Lefter Çipa
Njerëz me dritë
- Refleksione, intervista, poema, letra, sentenca, epistolate, vlerësime –
Redaktor: Aleksandër Çipa
Në kopertinë: Pikturë nga Safo Marko
ISBN 978-9928-307-90-3
192 faqe
Çmimi: 700 lekë
Libri “Njerëz me dritë” është mishërim i një materiali shkrimor që është derdhur prej ndërgjegjes dhe zemër-trokitjeve, prej talentit natyral për të thënën dhe sinqeritetit sui generis të shprehjes së Lefter Çipës. Ua kushton atyre që i ka dashur dhe çmuar, nëpër gjithë kohën dhe kohët e jetës vetiake. Ata janë kontribues të lartimit dhe ndihmesës përgjatë udhëtimit të mundimshëm të tij nëpër art dhe nëpër këngën shqipe. Flet me gjuhën e vet. Shkruan me shqipen e tij. Lëvdon dhe peshon sipas një gjuhe jo të kontrolluar prej kritereve akademike apo studimore, por prej një ligjërimi që nuk shkëputet nga bashkëautorësia me natyrën dhe elementet përbërës të etnogjeografisë dhe antropologjisë shqiptare. Janë “njerëzit me dritë”, për kulturën dhe kombësinë shqiptare, dy dimensionet më simetrike të ndërgjegjes së At-krijuesit tim Lefter.
Është miku i madh i tij Dritëro Agolli. Bashkëpatrioti i shquar Petro Marko. I shumëdituri Dhimitër Shuteriqi. I dashuri deri në gjak Xhevahir Spahiu. Sharmantja Justina Aliaj. Janë të fjeturit e gjallë si Aleksandër Lalo, Nexhmie Pagarusha, Albert Verria, Adem Demaçi, Haxhi Dalipi etj, etj.
Në të njëjtën kohë, janë edhe polifonët e magjishëm të tij. Janë ata, të shquarit e Grupit të Pilurit. Në kushtimet dhe përcaktimet eseistike, në profilet dhe reçencat për personalitete të shquara të letërsisë, interpretimit, kulturës, polifonisë, muzikës dhe atdhedashurisë shqiptare, autori i këtij libri u ikën kritereve tradicionale dhe rigoroze. I përmbahet besnikërisht një sistemi tradicional dhe konservator, të përcaktimit dhe gjykimit si personalitete dhe si autorë me sprova të fituara vlerash në skenën kulturore të Shqipërisë së 100 viteve të fundit.
Gjatë kohës që lëngoi, bashkëkomunikuesve dhe ne, fëmijëve të tij, na bëri dhuratë-porosi një pjesë të madhe të epistolateve dhe sentencave të këtij libri. Ndonjë prej tyre na ka humbur prej pavëmendjes apo harresës. Një peng që ndoshta nuk e zhbëjmë dot.
Gjithsesi, prej tij ne ishim me fat. Nuk shijuam vetëm fatin e këngës apo poezisë, por mësuam se si t’i shquajmë dhe t’i duam posaçërisht në jetë dhe tek Atdheu “njerëzit me dritë”.
(Pjesë nga parathënia, shkruar nga Aleksandër Çipa)