Nuk ka asnjë njoftim, qoftë në faqet personale, qoftë në ato zyrtare që Kryeministri i vendit udhëton i ftuar nga presidenti i Turqisë drejt Stambollit,
Një ditë para se të publikohej lajmi për ftesën dy ditore që presidenti i Turqisë, Taip Erdogan i ka bërë kryeministrit Rama në Stamboll këtë javë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, hedh në Twitter njoftimin për bisedën telefonike me Kryeministrin shqiptar.
Nuk është thjesht një rastësi, por janë detaje të pazbardhura plotësisht që lidhen me diplomacinë dhe axhendat specifike që ndajnë tri vendet e rajonit mes njëri-tjetrit. Në këto njoftime të ndërlidhura natyrshëm me njeri-tjetrin, pala zyrtare shqiptare nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Kryeministri i vendit tonë nuk e ka parë të arsyeshme të njoftojë publikun dhe qytetarët e vendit të vet për vizitën e tij në Stamboll.
Nuk ka asnjë njoftim, qoftë në faqet personale, qoftë në ato zyrtare që Kryeministri i vendit udhëton i ftuar nga Presidenti i Turqisë drejt Stambollit, ku sic njofton agjencia zyrtare e këtij shteti: “…do të zhvillohen bisedime lidhur me marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve si dhe do të rishikohen të gjitha dimensionet. Po ashtu lidhur me zhvillimin e bashkëpunimit do të trajtohen hapat që do të ndërmeren për vijueshmërinë e kësaj çështje. Në takime gjithashtu do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe.”
Burime të Arberianews.net bëjnë me dije se, në këtë vizitë kryeministri Rama shoqërohet edhe nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Njoftimi i palës turke se: do të “ rishikohen të gjitha dimensionet” duket shumë pretencioz dhe le hapësira diskutimi dhe hamendësimesh të ndryshme si për subjektet marrëveshëse, ashtu edhe për interesat bilaterale dhe ato politike mes udhëheqësve Erdogan-Rama.
Ndërkohë që këtë vizitë e ka paraprirë, jo rastësisht, biseda telefonike e Ministrit grek të jashtëm i cili siç ka njoftuar, në këtë bisedë: “…diskutuam zhvillimet e fundit rajonale.”. Kjo bisedë telefonike e konfirmuar njëanshmërisht nga pala greke, vjen pak ditë pas dekretit prsidencial grek dhe pritshmërisë se i pari projektligj që do të kalojë në parlamentin grek për 2021 është ai i zgjerimit me 12 milje në detin Jon.
Drejtoria e Komunikimeve të presidencës së Turqisë ka njoftuar se takimet e datës 6 dhe 7 janar 2021 përfshijnë çështje dhe marrëveshje bilaterale, si dhe për bashkëpunimin e vijueshëm shqiptaro-turk.
Pala jonë zyrtare për këto brendi dhe axhendën specifike të komunikimeve, marrëveshjeve dhe sidomos qëndrimet respektive, mes problemeve ta hapura në trekëndshin diplomatik Tiranë-Stamboll-Athinë, jo vetëm që nuk përcjell njoftime vetiake, por zgjedh të mbetet në një marrëdhënie diskrete me publikun dhe qytetarët e vendit. Le të presim servirjen informative nga dy fqinjët tanë, të cilët kanë interesa të shumta dhe të ndryshme, duke shtuar historinë pësuese për marrëveshje që në mos e disfavorizojnë vendin tonë, së paku e evidentojnë atë si përherë në pozita vasaliteti./