Pasi u përjashtua për të qenë kandidat në postin e Përfaqësuesit të Lartë të OSBE-së për Lirinë e Medias, Ditmir Bushati ka marrë një tjetër post në këtë organizatë.
Ish-ministri i Jashtëm është caktuar nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së si Përfaqësuesi për Kaukazin e Jugut.
Asambleja Parlamentare e OSBE, njofton se Bushati do të ndjekë situatën e përgjithshme politike në këtë rajon, do të punojë për promovimin e dialogut në të gjithë segmentet e shoqërisë, me fokus të veçantë atë në nivel parlamentar, duke nxitur dhe inkurajuar pajtimin në konfliktet e stërzgjatura në rajon.
Bushati ka si detyrë të marrë në konsideratë mënyrat dhe masat e ndërtimit të besimit dhe krijimin e kushteve të favorshme për identifikimin dhe zbatimin e zgjidhjeve politike.
Ai do të punojë ngushtë me kryesinë dhe strukturat ekzekutive të OSBE-së, grupin e Misnkut, si dhe Përfaqësuesin Personal të Kryetarit të Zyrës për Konfliktin e Trajtuar nga Grupi i Minskut si dhe të ndjekë zhvillimet në Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës.
Mandati i Bushatit përfundon në sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE në Bukuresht, në korrik të 2021-shit.