Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gazetari Vladimir Muçaj fiton pafajësinë ndaj akuzës policore. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë tërheq vëmendjen ndaj deklaratave replikuese dhe intimiduese të Policisë së Shtetit, për raportimin e pavarur të gazetarëve
Tiranë më 12.10.2020
Ka përfunduar sot në Gjykatën e Faktit të qarkut Fier procesi gjyqësor ndaj gazetarit Vladimir Muçaj, i nisur një vit më parë. Gazetari, njëherësh kryetar i UGSH qarku Fier, akuzohej sipas padisë së një grupi policësh të Rendit të Komisariatit të qytetit nën akuzën:” kundërshtim të forcave të rendit”. Prokurori i çështjes e mbrojti këtë akuzë edhe në seancën e sotme të Gjykatës, duke e kthyer procesin në një komedi akuzimi, ku në fakt, “viktima po trajtohej si i akuzuar”. Avokati mbrojtës i kolegut Muçaj pasi paraqiti në seancë dokumentacionin e auditit dhe verifikimeve nga SHKÇB-ja, e futi procesin në një moment kthese. Trupa gjykuese në vendimin e vet e pushon çështjen duke i njohur palët me mbylljen e saj.
Gjatë një viti, rreth kësaj akuze, janë zhvilluar disa seanca dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit këmbëngulnin për ndëshkimin ligjor të gazetarit.
Në muajin qershor të këtij viti, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes një deklarate tërhiqte vëmendjen rreth akteve të dhunës policore mbi gazetarët, ku përmendej edhe rasti i gazetarit Muçaj. Në reagim Unioni nënvizonte se: ” Raste të dhunës dhe arbitraritetit policor ka pasur edhe në qytetin e Fierit si në rastin e kryetarit të UGSH-së Vladimir Muçaj për këtë qark, ndaj të cilit në mënyrë absurde ka nisur edhe një proces gjyqësor, ndërkohë që vetë policia e shtetit përmes dokumentave të shkruar ka fajësuar policinë locale”.
Para tri ditësh, Policia e Shtetit përmes një deklarate ku konstatonte aktivizimin e pakuptimtë të disa individëve dhe mediave që të distancoheshin nga përpjekjet për të hedhur baltë mbi punën e saj, me tone të ashpra dhe një lloj imponimi i ftonte gazetarët dhe mediat t’i drejtoheshin asaj për informacion të saktë. Në këtë deklaratë Policia nuk harronte të apelonte ndaj: “…gjithë aktorëve mediatikë, publikë dhe politikë që të distancohen nga përpjekjet për të hedhur baltë mbi punën e saj, si dhe për të krijuar opinione të gabuara të mbështetura mbi lajme të rreme”. Edhe pse në fillim të deklaratës u drejtohej disa individëve dhe mediave, në mbyllje apelin e kishte për të gjitha mediat për distancim.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë edhe pse e vlerëson si domosdoshmëri të përhershme bashkëpunimin institucional dhe ka qenë përherë në një partneritet profesional me institucionet, përfshi edhe policinë, gjen rastin të tërheqë vëmendjen që ngritja e padive ndaj gazetarëve prej grupe policësh apo segmentesh të Policisë së Shtetit, janë shprehje e një arrogance dhe autoriteti imponues. Informacioni e vetëofruar nuk është kurrë i barazvlefshëm me transparencën zotërinj të Policisë, madje në kësi rastesh kemi të bëjmë me intimidim. Gazetarët dhe mediat e kanë të domosdoshëm burimin tuaj, por përherë ai është i pamjaftueshëm. Në pikëpamjen tonë, raportimet e pavarura nga reporterët, gazetarët investigativë dhe mediat, janë i vetmi shërbim i vyer për besueshmëri dhe përkrahje nga opinioni publik dhe shoqëria. Ndërsa deklaratat polemizuese, tonet urdhëruese dhe aq më keq, paditë penale ndaj gazetarëve, janë elemente të deformimit tuaj institucional e shoqëror.
Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë