Mbyllet procesi i votimit të listës me 140 emra të propozuar nga anëtarësia për kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Pjesë e procesit u bë edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ka votuar mëngjesin e sotëm Basha u paraqit në njësinë e votimit, në orën 10:00, në zyrat e degës 8, përballë me gjimnazin “Partizani”. Kryedemokrati u shpreh se askush nuk qëndron mbi votën e anëtarësisë referuar përjashtimit të Klevis Balliut nga lista e Korçës. Po ashtu, Basha përshëndeti procesin dhe tha që është anëtarësia e parë në Shqipëri që merr të drejtën dhe falenderoi demokratët për angazhimin.
Lista e plotë e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike që do t’i nënshtrohet votimit nga anëtarësia e partisë në atë që quhet faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë është bërë publike ditën e djeshme. Në listën e gjatë me 140 emra të PD-së për qarkun e Tiranës spikasin emra të njohur dhe me kontribute të veçanta në jetën publike të vendit. Në këtë listë spikasin edhe emra nga bota e artit, si Klodiana Shala, Julian Deda, Robert Budina apo Taulanda Jupi si dhe sportistët si Andi Lila në Kavajë, Gent Muça në Tiranë, por edhe Artan Pogoni.
Deri më tani kanë dalë rezultatet e Kamzës dhe Paskuqanit, degëve: 3, 6 dhe8 ku ia ka dalë që të “kalojë” e gjithë lista përfshirë edhe ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu, edhe pse kishte mbi 200 vota kundër tij. I vetmi emër i skualifikuar është Andrin Tahiri, megjithatë nuk dihet numri i votave që është dhënë kundër tij. Ndërkohë numërimi ende vazhdon brenda selisë blu për zonat e tjera të kryeqytetit…