META I KTHEN PËRGJIGJE SPIROPALIT: NUK KAM IDHULL ESKOBARIN POR HERONJTË QË NA BËJNË KRENARË DHE SHQIPTARË
Presidenti Ilir Meta, ka reaguar ndaj deklaratave të Elisa Spiropalit, pasi e cilësoi si “gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në një reagim në Facebook, Meta thotë se nuk e ka idhull Eskobarin, por ata që i cilëson heronj të kësaj toke, që i bëjnë të gjithë krenarë dhe shqiptarë. “Zotërinj dhe Zonja palaço! Unë nuk kam idhull Eskobarin, por Isa Boletinin, Avni Rustemin, Vojo Kushin, Mujo Ulqinakun, Margarita Tutulanin dhe gjithë Heronjtë e kësaj toke, që na bëjnë krenarë dhe shqiptarë!”, shkroi Meta. Më parë, në emisionin “Opinion”, Spiropali u shpreh: “Kur dëgjova Metën në këtë intervistë sot më erdhi keq për gjendjen e tij, si deputete, si nënë si qytetare e këtij vendi, unë dua të besoj që presidenti është në atë gjendje, për shkak të ndonjë dreke kilometrike të gjatë sot në Durrës, ku janë ngritur shumë dolli për rrëzimin e qeverisë, dhe jo për shkak të ndonjë raptusi të ri mendor. Ka rëndësi, sepse gjuha e dollive që u përdor në atë intervsitë që u përmendën a*rmët, u përmendën dhe mbrëmë në një intervistë, është shumë e shëmtuar”.