Akuzat ndaj gjyqtares Margjeka për korrupsion, flet avokati i saj: Procesi ka shumë dritëhije
Flet avokati i gjyqtares Mimoza Margjeka e lënë në arrest shtëpie për korrupsion, për të cilin është arrestuar edhe bashkëshorti i saj Arben Cara, dhe dy të tjerë, pasi do të merrnin 6 mijë deri në 10 mijë euro për lirimin e të dënuarit Orion Bali.
Avokati i saj ka thënë se sipas tij është vepruar me standarde të dyfishta. Ndërkaq ai ka shtuar se procesi ka shumë dritëhije.
“Është vepruar me standade të dyfishta. Procesi ka shumë dritëhije”, ka thënë avokati.
Në përgjime del fillimisht Nejson Bali, vëllai i personit të dënuar i cili telefonon nënën e tij dhe i thotë se së pari gjyqtarja kërkon 6 mijë euro, duke qenë se trupa gjykuese përbehej nga tre gjyqtarë.
“Kërkojnë fillimisht 6 mijë euro. Janë 3 gjyqtarë, nga 2 mijë secili”, i ka thënë Nejson Bali nënës.
Ndërkohë në një përgjim tjetër dëgjohet: “10 mijë euro ose vëllai dënohet 5-10 vite burg.” Më pas në skenë del avokati Skënder Demiraj, i cili i thotë Nejsonit “kam futur njerëz me peshë”, për të nxjerr nga burgu të vëllain e tij, Orion Bali.