Infektohen me koronavirus mësuesja dhe sanitarja e një shkolle në Fier.
FIER
Koronavirusi ka prekur dy pjesëtarë të një shkolle në Fier, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas Inspektoratit të Shëndetit Publik, pas testit të kryer ka rezultuar pozitive një mësuese dhe sanitarja e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, në Fier. Testi i Covid-19 është kërkuar nga vetë personat e infektuar, pasi kanë shfaqur simptoma të virusit.
Sipas Drejtorisë Arsimore në Fier, të dy personat e infektuar janë vetëkarantinuar dhe nuk ka rrezik për transmetimin e virusit, për shkak se nuk janë hapur ende shkollat.
Mësohet se për Drejtorinë e Arsimit në Fier nuk do të ketë një vendim për mos hapjen e kësaj shkolle më 14 shtator, ndërsa për personat e infektuar po ndiqen procedurat e parashikuara nga ISHP. Ndërkohë, nuk dihet ende nga mund ta kenë marrë virusin mësuesja dhe sanitarja e shkollës, por po gjurmohen edhe kontaktet e tyre.