Një shoqëri që prodhon vetëm baltë dhe mallkim
Nisma “Thurje” do të bëhet parti politike, sikurse kishte paralajmëruar. Dhe asaj do ti bashkohet edhe Rudina Hajdari.
Pas publikimit të lajmit, njerëzia që punon në FB dhe ata që telefonojnë në mëngjes pa gdhirë mirë, në emisionet televizive, u lëshuan me sharje e akuza. Sa Rudinën, sa ata djemtë që “Thurjen” do të bëjnë parti.
Pikë së pari, unë nuk kam asnjë vlerësim për Rudina Hajdarin si politikane, ndërsa si njeri nuk e njoh. Për djemtë e “Thurjes”, disa i njoh e disa jo, por sërish jam skeptik, që do të frymëzojnë ndonjë ndryshim politik e shoqëror në vend. Por kjo nuk më justifikon që unë ti shaj, ti fyej e ti mallkoj. Përkundrazi, i përgëzoj për kurajën dhe vendimin.
Për lukuninë e shqiptarëve që dinë vetëm të pështyjnë, e të mos jenë në gjendje të prodhojnë asnjë ide, unë kam disa pyetje:
Çfarë të keqeje i ka bërë Rudina Hajdari, personalisht, këtij vendi?
Çfarë dëmi i kanë bërë ca të rinj e të reja që janë bashkuar tek nisma “Thurje”?
Si është e mundur, që në një garë ende të pashpallur, një grup të rinjsh deklarojnë se do të jenë përballë atyre që i kanë punuar qindin këtij vendi e këtij populli për 30 vjet me radhë, dhe ju suleni si hijenat ndaj të rinjve?
Në ato që lexoja e dëgjoja, gati shikoja një kënaqësi perverse, për faktin se këta të rinjtë një m… do të marrin para “ujqërve” të vjetër që ia kanë marrë dorën kësaj pune.
Si është e mundur që mbysni me llucë, pështymë, e baltë këdo që guxon të “ngrejë krye” e tu dalë përpara të vjetërve?
Unë nuk besoj se të gjithë ata janë njerëz të paguar. Jo jo!
Unë mendoj se ne si shoqëri jemi të prekur nga ajo që quhet “Sindorma e Stokholmit”, ku skllavi adhuron pronarin.
Ju mund të mos votoni për këta të rinjtë, por për ti sharë e mallkuar nuk keni asnjë argument.